Prokuroria kërkon paraburgim për kushëririn e Ferid Aganit dhe bashkëpunëtoren e tij

Djali i xhaxhait të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, Armend Agani është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë, më saktësisht Departamenti për Krime Ekonomike, nën dyshimin se ai së bashku me Ljiljana Smiliq, kanë hapur një Poliklinikë me dokumentacion të tjetër kujt.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme për arrestimin e kushëririt të Ferid Aganit.

Ndaj Armend Aganit dhe Ljiljana Smiliq do të kërkohet masa e sigurisë ajo e paraburgimit.

Kështu ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka.

“Po, do të kërkohet paraburgimi ndërsa seanca do të mbahet nesër, pasi që kështu ka caktuar gjyqtari i procedurës paraprake”, tha Beka për KALLXO.com.

Agani e Smiliq dyshohen se kanë kryer veprat penale – falsifikim i dokumentit zyrtar, rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

Agani dhe Smiliq në ARBK kanë të regjistruar poliklinikën si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, në maj të vitit 2017.

KALLXO.com merr vesh se poliklinika “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.” është në emër të Ljiljana Smiliq ndërsa edhe katër të tjerë kanë hise në këtë poliklinikë. Njëri nga ta është edhe djali i axhës së Ferid Aganit, Armend Agani, i cili ka 30% të aksioneve të kësaj poliklinike.

Gjithashtu në ARBK thuhet se poliklinika gjendet në Graçanicë.

https://kallxo.com/djali-i-xhaxhait-te-ferid-aganit-eshte-arrestuar-nga-krimet-ekonomike/

.