Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

Prokuroria kërkon dënimin e ish-zëvendëskomandantit të Policisë

Gjykimi ndaj ish-zëvendëskomandantit të Policisë në veri të Mitrovicës drejt fundit.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës është dhënë fjala përfundimtare nga të gjitha palët në këtë rast.

Darko Gusniq, ish-zëvendëskomandant i Policisë, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gusniq akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës, pasi që dyshohet se nuk kishte verifikuar shpenzimin e derivateve të naftës nga veturat zyrtare.

Sipas akuzës, i pandehuri Gusniq ishte dashur që të verifikojë shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të Policisë të mbushura me derivate nga zyrtari i stafit civil Dragan Kompiroviq, por sipas akuzës këtë nuk e ka bërë dhe ka nënshkruar memorandumet për shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të Policisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gusniq dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumën prej 9 mijë e 146 euro.

Ndërsa me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që gjykata të shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit ish-zëvendëskomandantin e Policisë në veri të Mitrovicës.

Prokurori i rastit Ismet Ujkani ka thënë se qëndron pranë aktakuzës dhe se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës e të administruara si prova gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka rezultuar si i akuzuari Gusniq ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas prokurorit Ujkani, nga provat e nxjerra ka rezultuar se i pandehuri ka qene zëvendëskomandant në Stacionin Policor në Veri dhe se ka nënshkruar memorandumin për shpenzime te derivateve të mbushura nga zyrtari Dragan Kompiroviq për automjetet zyrtare të Policisë.

https://kallxo.com/gjykimi-ndaj-ish-zevendes-komandantit-te-policise-ne-veri-te-mitrovices-per-shpenzimin-e-karburanteve/

Kurse avokati Agim Lushta, i cili në këtë rast e mbron të pandehurin Darko Gusniq, ka thënë se konsideron se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat do të vërtetojnë dyshim mirë të bazuar se klienti i tij ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Lushta ka kërkuar që i akuzuari të shpallet i pafajshëm në mungesë të provave.

“Si dëshmitar i vetëm në këtë procedurë penale e kemi lexuar dhe dëgjuar deklaratën e Florim Sejdiut, i cili e ka kryer detyrën e zyrtarit regjional të MTO dhe pas kësaj deklarate e cila është lexuar nuk ka dhënë asnjë provë me shkrim i cili ka pasë për obligim tubimin e faturave dhe urdhëresave zyrtare, përpos një shkrese të cilën e kemi dorëzuar si provë dhe të cilën e ka konstatuar ai që një automjet shpenzon 22 litra naftë në 6 kilometra”, ka thënë tutje Lushta.

Ndërsa pas dhënies se fjalës përfundimtare trupi gjykues me kryetar Radoslav Markoviq ka njoftuar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje ka përfunduar në tërësi, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 maj.

Në këtë rast përveç Darko Gusniqit ka qenë i akuzuar edhe Bratislav Kragoviq por ndaj tij prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale në seancë e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 29 gusht 2018.

Prokurori Ismet Ujkani kishte deklaruar se me një vendim të datës 23 gusht 2011, të njëjti i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, dhe se sipas tij veprimet e të njëjtit nuk kanë përmbajtur elementet e veprës penale me të cilën e ngarkonte aktakuza, e që supozohej se i kishte kryer nga janari i vitit 2011 e deri në prill të vitit 2012, me ç’rast ishte tërhequr nga ndjekja penale për këtë të akuzuar.