Gjykimi i Agim Ademit - Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon dënim me burg për kryetarin e Federatës së Futbollit, Agim Ademin

Gjykimi i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe i Muharrem Ramës, të akuzuar për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit, ka prekur fundin.

Prokuroria kërkoi që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë, ndërsa mbrojtësit e tyre kërkuan lirim nga akuza.

I pari i FFK-së, Agim Ademi, po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar me vdekje një person.

E gjithë kjo, sipas Prokurorisë, u bë me qëllim të ndryshimit të statusit të një ngastre toke.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Merrushe Llugiqi, deklaroi se me provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor si dhe më dëshminë e dëshmitarit- të dëmtuarit Dritëro Kadolli, është vërtetuar se Agim Ademi dhe Muharrem Rama kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

“Me provat e administruara gjatë  këtij shqyrtimi gjyqësor vërtetohet dispozitivi i akuzës. Me dëshminë e dëshmitarit- të dëmtuarit Dritëro Kadolli dhe me raportet e bastisjeve, është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit Agim Ademi dhe Muharrem Rama kanë kryer veprën penale për çka akuzohen”, tha prokurorja.

Sipas prokurores, të akuzuarit kishin qenë persona zyrtarë kur kishin bërë ndryshimin e statusit të parcelës.

“Të dy të akuzuarit kanë qenë zyrtarë dhe kanë kërkuar ndryshimin e statusit te parcelës duke e shndërruar nga zona e gjelbëruar në zonë ndërtimore”, shtoi prokurorja Llugiqi.

Tutje ajo tha se të akuzuarit veprat penale i kanë kryer me dashje, ku për shkak të kërcënimit serioz që i kishin bërë të dëmtuarit Dritëro Kadollit, i njëjti ishte detyruar t’ia dorëzojë një veturë të tipit “BMW” Sami Hamitit.

Me këtë rast prokurorja i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Agim Ademi, avokati Qazim Qerimi, tha se fjala përfundimtare e prokurores i ngjason me tepër me një elaborimi historik.

Tutje avokati Qerimi tha se me dijeninë e tij, të akuzuarit nuk kanë qenë persona zyrtarë dhe këtë konstatim të prokurores ai e quajti absurd.

“Unë nuk po e di se dy të akuzuarit paskan qenë persona zyrtarë. Pavarësisht se me ligj është përcaktuar se çka është definicion i personit zyrtar prokurorja në fjalën përfundimtare që të dy të akuzuarit i cilësoi se këtë vepër e kanë kryer në cilësinë e personave zyrtarë. Konsideroj se ky konstatim është absurd ngase sa unë kam dijeni, këta persona nuk kanë pasur kurrfarë cilësie të personit zyrtar në atë kohë”, tha avokati Qerimi.

Sipas avokatit Qerimi, i dëmtuari Dritëro Kadolli sipas deklaratave qe i kishte dhënë del të jetë një mashtrues.

“Gjykata duhet të ketë parasysh personalitetin e një personi mashtrues si Dritëro Kadolli. Nga deklaratat e tij vërtetohet fakti se kemi të bëjmë me një mashtrues”, tha avokati.

Më pas i njëjti  Gjykatës i propozoi që për të  mbrojturin e tij të sjell aktgjykim lirues.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Rama, avokati Ramiz Krasniqi, tha se me çfarë prova Prokuroria e akuzon mbrojtësin e tij.

“Konsideroj se ajo që duhet ta preokupojë më së shumti këtë trup gjykues është kjo: mbi cilat prova akuzon prokurori i shtetit. Nga ajo që u tha sot e vetmja provë është deklarata e të dëmtuarit Kadolli si dhe përgjimeve telefonike”, tha avokati Krasniqi.

Sipas avokatit Krasniqi, ndaj të dëmtuarit Kadolli janë të ushtruara tri akuza dhe për këtë arsye ai tha se i njëjti është një person mashtrues, deklaratat e të cilit nuk duhet të besohen.

“Ju e nderuar Gjykatë i keni tri prova, tri akuza të ushtruar nga kolegët e prokurorisë ndaj Dritëro Kadollit për veprën penale  të mashtrimit. Pra një mashtrues thotë se jam i mashtruar, vetëm ky fakt mjafton të mos i besohet Dritëro Kadollit”, tha Krasniqi.

Më pas avokati Krasniqi trupit gjykues i propozoi që klientin e tij ta lirojë nga akuza, sepse sipas tij veprat penale për të cilat akuzohet Rama nuk janë vepra penale.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 korrik.

https://kallxo.com/gjykatesja-ne-pushim-mjekesor-shtyhet-gjykimi-ndaj-kryetarit-te-ffk-se/

Sipas aktakuzës, Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua japë atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Më tutje thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.