Ilustrim

Prokuroria jep detaje si ndodhi vrasja e para 30 viteve në Deçan, viktima u ther 16 herë me thikë

Për një vrasje e cila ka ndodhur në vitin 1989, sot Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H.Z.

Prokuroria në detajet të cilat i ka dhënë rreth vrasjes, ka treguar se mëngjesin e 20 tetorit të viti 1989, afër një kanali për ujitje në Deçan, i pandehuri H.Z në bashkëkryerje  me tani të dënuarin S.Z, nga hakmarrja  e kanë vrarë viktimën Z.U.

I gjithë rasti sipas prokurorisë kishte filluar për shkak të një rrahje e cila kishte ndodhur me 12 qershor të vitit 1989, në fshatin Strellc të Komunës së Deçanit, në mes të pandehurit dhe vëllait të viktimës.

Prokuroria ka treguar se si i dënuari S.Z bashkë me të pandehurin H.Z, në ditën kritike e kanë përcjellë viktimën për një kohë, të cilit më pas i janë afruar nga prapa.

Prokuroria ka bërë të ditur se i dënuari S.Z ka kapur për qafe viktimë me dorën e majtë, ndërsa me dorën e djathë e ka goditur me thikë në pjesën e përparme të gjoksit.

Viktima, në mbajtje e sipër së bashku me të dënuarin S.Z, ka rënë në kanalin e ujit, ndërsa i pandehuri H.Z sipas prokurororisë, ka zbritur në kanal dhe derisa i dënuari S.Z e ka mbajtur viktimë për duar, i pandehuri e ka goditur 16  herë në shpinë e pjesë të tjera të trupi me thikë, ku shumica e goditjeve kanë qenë në organet vitale.

Pas këtyre goditjeve, viktima Z.U, ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehurin të shpallet fajtor dhe të dënohet  sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.​