Prokuroria jep detaje për rrahjen mes vete të dy punëtorëve të Telekomit në Gjakovë

Dy punonjës të Telekomit të Kosovës janë përleshur në mes vete në vendin e tyre të punës në Gjakovë, ku njëri si pasojë e përleshjes ka marrë lëndime trupore.

Sipas zëdhënëses së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Yllka Shehu, një person me inicialet E.B. 58 vjeçar ka mbetur i lënduar, pasi dyshohet se është goditur me bombole të gazit nga kolegu i punës M.T. 55 vjeç.

“Në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Gjakovë, ka ndodhur një rrahje me lëndime të lehta trupore. Personi i dyshuar është M.T. i moshës 55 vjeç. Në këtë rast viktima E.B. rreth 58 vjeç ishte në vendin e tij të punës (Telekomi i Kosovës), i cili kishte marr lëndime të lehta trupore nga i dyshuari M.T.”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja Shehu.

Sipas saj i lënduari ka marrë ndihmën mjekësore nga ekipet emergjente në vendin e ngjarjes.

“Deri te rrahja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje që kishin gjatë punës, për shkak se të dy ishin punonjës të Telekomit të Kosovës. Rasti ka ndodhur në pauzë të drekës, ku i dyshuari kishte goditur viktimën me mjet të fortë (bombole), duke i shkaktuar lëndime  të lehta trupore”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Yllka Shehu.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa për këtë rast janë duke vazhduar hetimet.