Prokuroria hesht për rastin e Gani Gecit

Prokuroria Themelore e Mitrovicës nuk ka iniciuar asgjë rreth deklarimeve të familjes Geci nga Llausha e Skenderajt.

Gjatë ditës së djeshme ishte publikuar një letër e familjes Geci, përmes të cilës kjo familje kishte kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ata kanë thënë se janë të shqetësuar se dikush do ta vrasë familjarin e tyre Gani Gecin dhe nëse kjo do të realizohet atëherë ata do ta mbajnë përgjegjës presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Madje, sipas tyre nëse diçka i ndodh Gani Gecit, ata do të përgjigjen në mënyrën e njëjtë.

Ndërsa nga Prokuroria Themelore e Mitrovicë

kanë konfirmuar për KALLXO.com se në këtë Prokurori nuk është dërguar asnjë kërkesë për mbrojtjen e Gani Gecit por as nuk janë njoftuar nga askush se kjo familje ndihet e kërcënuar.

“Referentët e shkrimores në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës konfirmojnë se deri tani në Prokurori nuk është dorëzuar asnjë kërkesë  për mbrojtje apo sigurimin e vet Gani Gecit apo të familjes së tij, apo të kenë njoftuar Prokurorinë se ndjehen të rrezikuar nga kushdo qoftë”, tha prokurorja Zejnije Kela për KALLXO.com.

Mbrëmë, edhe Policia Rajonale e Mitrovicës tha se nuk ka marrë asnjë ankesë ose kërkesë për mbrojtje nga kjo familje.

https://kallxo.com/policia-nuk-kemi-pranuar-kerkese-per-mbrojtje-nga-familja-geci/

Kallxo.com