Rozafë Koliqi. Foto: Kallxo.com

Prokuroria Ende pa Hetime për Avancimin e Dyshimtë në UP

Një vit pas publikimit të hulumtimit të emisionit të “Jeta në Kosovë” për avancimet në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka nxjerrë një aktvendim për fillim të hetimeve. Kështu ka thënë zyrtari për Informim i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hekrem Lutfiu.

“Ende nuk ka aktvendim mbi fillimin e hetimeve sepse ka shumë persona të përfshirë në këtë rast. Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve asnjë informate tjetër nuk mund ta japim për mediat”, tha Lutfiu.

Kjo lëndë i është ndarë prokurorit Arian Gashi.

Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte nxjerrë në pah se si janë bërë votimet e senatorëve të Universitetit të Prishtinës për avancime të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ky hulumtim pati sjellë rrëfimin e kallxueses, Rozafë Koliqi, doktor shkence në Farmaci Klinike, e cila nuk ka lënë derë institucionale pa kërkuar të drejtën e saj që i është mohuar nga Senati i Universiteti të Prishtinës, për t’u zgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë.

Hulumtimi pati sjellë edhe dokumente e fakte të nënshkruara nga Rektori i UP-së, Marjan Dema, për të cilat Agjencia Kundër Korrupsion kishte deponuar fakte në Departamentin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se deri më tani për këtë rast janë intervistuar 18 persona.

“Ju informoj se deri më tani për këtë rast janë zhvilluar disa hetime preliminare sipas autorizimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ku janë intervistuar 18 persona, disa në cilësi të dyshuarve e disa në cilësi të dëshmitarëve”, ka thënë  zyrtari për Informim i Prokurorisë, Hekrem Lutfiu.

KALLXO.com pati raportuar për marrjen në pyetje të Rektorit, Marjan Dema dhe stafit të tij nga Krimet Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës.

Rektori i Universitetit si dhe zyrtarë të tjerë janë në një proces të hetimit që është duke e zhvilluar njësia e Policisë së Kosovës ndërlidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 dhe veprës së cenimit të të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 i Kodit Penal të Kosovës.

Veprat penale keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar dhe cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë janë parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoriteti zyrtar parasheh dënim me burg prej 6 muaj deri në 5 vjet ndërsa vepra penale, cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë parasheh dënim me gjobë ose burg deri në dy vjet.

http://kallxo.com/si-u-fitua-pozita-e-asistentit-lobime-te-senatoret-e-se/