Prokuroria e Shtetit për 24 orë ndalon tetë persona e kërkon tri masa për paraburgim

Tetë persona janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, tre kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave për vepra të ndryshme penale janë masat që kanë ndërmarrë prokuroritë në Kosovë në 24 orët e fundit.

Prokuroria e Shtetit me anë të raportit ditor ka treguar veprimet e ndërmarra nga prokuroritë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy persona, për 48 orë dhe ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, për veprën penale ‘’Dhunë në familje’’.

Të dyshuarit R.B. dhe P.G, janë ndaluar nga prokurori me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar gjashtë persona, ku nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person, tek i cili janë gjetur narkotikë, ndërsa Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar pesë persona, për veprat penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’ dhe ‘’Dhunë në familje’’.

“Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar 1 (person), nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, ndërsa Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar 4 (katër) persona, të përfshirë në rrahje, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’. Gjithashtu, nga Departamenti Përgjithshëm, 1 (një) person është ndaluar në Pejë, për veprën penale ‘’Dhunë në familje’’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë gjatë 24 orëve të fundit, ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj një personi,  për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “ Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”.