Takimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës – Foto: KPK

Prokuroria e Shtetit bëhet me strategji për trajtimin e krimeve të luftës

Prokurorja Drita Hajdari para anëtarëve të Këshillit Prokurorial ka paraqitur strategjinë për trajtimin e krimeve të luftës dhe veprave që kanë të bëjnë me të pagjeturit.

Ajo tha se për shkak të numrit të madh të lëndëve të cilat i janë transferuar Prokurorisë Speciale është dashur të ndërtohet një strategji për trajtimin e tyre.

“Nga qershori 2018 Prokuroria Speciale ka marrë kompetenca për t’i hetuar krimet e luftës. Nga ajo kohë deri në fund të vitit 2018 misioni EULEX na ka transferuar rreth 900 lëndë të krimeve të luftës dhe 2.000 lëndë për persona te zhdukur dhe duke u bazuar në mungesën e progresit në fushën e krimeve të luftës gjatë mandatit të EULEX, Kryeprokurori ka iniciuar krijimin e kësaj strategjie për ndjekjen e këtyre veprave penale”, tha prokurorja Hajdari.

Ajo shprehu shqetësimet se si ishin trajtuar këto raste nga prokurorët e EULEX-it.

“Dokumenti është rezultat i punës së grupit punues në bashkëpunim me prokurorë ndërkombëtarë dhe policë të EULEX-it, mirëpo që nga fillimi kemi pasur problem serioz pasi nuk kemi pasur ku të mbështetemi. Kjo për faktin se kam kërkuar nga EULEX që të na ofrojë ndonjë dokument strategjik të cilin e kishin përdorur ata mirëpo ata nuk na kanë ofruar asgjë, asnjë strategji e as politikë të caktimit të prioriteteve përpos 900 lëndëve për t’i zgjidhur”, tha Hajdari.

Sipas saj, strategjia e krijuar do të themelojë një Task Force në të cilën do të parashihet edhe rritja e numrit të prokurorëve dhe stafit mbështetës për trajtimin e këtyre rasteve.

Kryeprokurori Aleksander Lumezi tha se qëllimi i kësaj strategjie është sjellja e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës.

“Kjo strategji është krijuar për ta sjellë drejtësinë për viktimat e luftës. Me anë të saj do të rritet edhe numri i prokurorëve nga tre në pesë si dhe parashikohet të rritet edhe numri i policëve hetues”, tha kryeprokurori.

Në kuadër të kësaj strategjie do të hyjnë veprat penale të cilat janë kryer gjatë vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.