Prokuroria e Shtetit: Azem Syla po Kërkohet qe 10 Ditë

Prokuroria e Shtetit ka lëshuar sot një komunikatë në lidhje me operacionin e sotëm policor, gjatë të cilit, në kuadër të një hetimi penal, janë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, operacioni i kërkimit dhe arrestimit është ndërmarrë duke e zbatuar urdhrin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të lëshuar më 26 prill 2016.

Kjo është deklarata e plotë e Prokurorisë së Shtetit:

Operacioni është kryer në bashkëpunim në mes të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë (6) persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i  të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal.

Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë, ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publikë.

Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie  dhe marrje  e ryshfetit.

Disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi. Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krim të Organizuar në Beograd.

Urdhrat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur ose janë jashtë vendit.

Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës.