Peja. Foto: Kallxo.com

Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim për të dyshuarin për narkotik

Prokuroria e Pejës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit për posedim të substancave narkotike, Gëzim Berisha, i arrestuar të enjten.

Kërkesën për caktimin e paraburgimit Prokuroria e ka bazuar në faktin se i pandehuri nëse shpallet fajtor mund t’i shqiptohet një dënim i lartë si dhe për shkak se i njëjti mund të ndikojë në mbledhjen e provave dhe se mund të përsërisë veprën penale.

Propozimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit e kundërshtoi mbrojtësja e tij, avokatja Venera Gashi.

“E kundërshtoj propozimin për caktimin e masës së paraburgimit pasi që i mbrojturi im ka shprehur nga fillimi gatishmëri për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe se nuk ka asnjë tendencë të arratisjes apo fshehjes së provave. Njëherit Gjykatës i propozojmë që të mbrojturit tim t’i caktojë ndonjërën nga masat alternative“, tha avokatja.

Gëzim Berisha akuzohet se në çantë i është gjetur lëndë narkotike e pas bastisjes në shtëpi i janë gjetur substanca narkotike të llojit marihuanë, kokainë, heroinë, një grider dhe disa letra mbështjellëse të marihuanës.