Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Gjakovës: Viktima u vra nga eksplozivi i vendosur në derë të shtëpisë

Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje për rastin e vrasjes që ka ndodhur sot në mëngjes në Smolicë të Gjakovës.

Sipas prokurorit Armend Zenelaj, viktima H.A., i lindur më 1957, është vrarë pas aktivizimit të një eksplozivi të vendosur në derën e oborrit të shtëpisë së tij.

Në një prononcim për KALLXO.com, prokurori Zenelaj tha se lidhur me këtë rast, që ka ndodhur rreth orës 8:00, nuk ka të dyshuar.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.

Sipas prokurorit Armend Zenelaj, me urdhër të kryeprokurorit Selimaj trupi i viktimës është dërguar për autopsi në Prishtinë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke u zhvilluar.

Edhe Policia e Gjakovës dha për KALLXO.com detaje rreth rastit të vrasjes që ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Smolicë të Gjakovës.

“Sot rreth orës 8:00, Stacioni policor në Gjakovë ka marrë informacion për një rast në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës. Patrullat policore me të gjitha njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për një shpërthim ku si pasojë e këtij shpërthimi një person ka humbur jetën”, tha për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Lirije Podrimaj.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-vrasjen-e-sotme-ne-smolice-te-gjakoves/

www.kallxo.com