Prokuroria Dyshon në Vetëvrasje të Policit

Kryeprokurori i Pejës Agron Galani konfirmoi se është gjetur trupi i pajetë i një polici në rajonin e Pejës.

Galani tha për KALLXO.com se rasti është iniciuar si vetëvrasje.

“Po mund ta konfirmoj se polica ka iniciuar një rast si vetëvrasje. Bëhet fjalë për një pjesëtar të Policisë së Kosovës,” tha Galani.

Ai tregoi se ende nuk ka raport zyrtar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Trupi i tij është dërguar për obduksion dhe ende nuk kemi ndonjë raport zyrtar,” tha Galani.

Për gjetjen e trupit të pajetë të pjesëtarit të saj njoftoi edhe Policia në Pejë në një komunikatë për medie.

“Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar mjeku kujdestar. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet përkatëse të cilat kanë ndërmarrë të gjitha masat policore në vendin e ngjarjes, është njoftuar prokurori i shtetit dhe Njësiti Rajonal i Hetimeve për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operativo-hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti,” thuhet në komunikatë.