Prokuroria: Dy Nga të Arrestuarit e Deçanit, Lidhje me ISIS

Prokuroria e Pejës ka ngritur dyshimet e saj se dy nga të arrestuarit në afërsi të manastirit të Deçanit kishin qenë pjesë e luftës në Siri.

Njëri prej tyre, sipas prokurorisë, kishte qenë në Siri ndërsa tjetri ishte kthyer mbrapsht nga Stambolli gjatë tentativës për t’u bërë pjesë e kësaj lufte

Katër personave të dyshuar të cilët Kisha OrtodokseSerbe i quajti “islamistë të armatosur” janë paraqitur të hënën para gjykatës në Pejë.

Por seanca ndaj tyre është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit zyrtar të punës, në orën 16.

Megjithë përfoljet, Prokuroria e Pejës ende nuk ka siguruar prova se këta persona kanë pasur qëllim terrorist.

Të arrestuarit janë duke u dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në mbrojtjen e tyre, katër të dyshuarit e kanë pranuar se natën e arrestimit kanë pasur armë por kanë sqaruar se qëllimi i tyre ka qenë që të bëjnë kamping në Bjeshkën e Deçanit.

Sipas aktvendimit të prokurorisë për fillimin e hetimeve të pandehurit me iniciale A.Y, A.K, K.K dhe K.A, më 31 Janar në afërsi të manastirit, pa autorizim kanë poseduar armët: Automatik të tipit “AK-47” me dy karikatorë dhe 20 fishekë, dhe një revole e prodhimit belg e kalibrit 9mm.

Prokurorja e rastit Valbona Disha- Haxhosaj, para gjykatës deklaroi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Haxhosaj në këtë seancë ka ngritur dyshime se këta persona mund të jenë të përfshirë edhe në sulmin me armë në fshatin “Berkovë” të Komunës së Klinës ndaj një shtëpie të komunitetit serb natën e arrestimit.

Ky pretendim i prokurores është mohuar nga të pandehurit.

Më tej, prokurorja Haxhosaj ka bërë të ditur dyshimet e prokurorisë se  i dyshuari A.Y ka qenë pjesë  e luftës në Siri ndërsa i dyshuari tjetër  A.K ishte ndaluar në Stamboll në tentativën e tij për ë marrë pjesë në luftën në Siri.

Gjykata e Pejës pritet që në një afat prej 48 orësh të marrë një vendim nëse të pandehurit do qëndrojnë në paraburgim ose do  mbrohen në liri.