Prokuroria autorizon policinë ta hetojë vëllain e Hajdar Beqës

 

Prokuroria e Gjakovës ka autorizuar Policinë e Kosovë të nisë hetimet për filmimet e transmetuara të premtën në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Të premten e kaluar ka transmetuar hulumtimin se si një biznesmen nga Gjakova pretendon se Hasan Beqa, vëllai i deputetit të PDK-së Hajdar Beqa, i ka kërkuar aksione në kompani për t’i hapur rrugë marrjes së një kontrate nga komuna e Gjakovës.

Hajdar Podrimaj ka provë një mesazh në telefon ku kërkohet dëshmia se aksionet janë bartur në emër të Hasan Beqës.

Në takimet e filmuara shihet Hasan Beqa dhe Hajdar Podrimaj duke biseduar që në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ nuk duhet të përmendet emri i deputetit Hajdar Beqa.

“Në lidhje me pyetjet tuaja për emisionin e fundit Drejtësia në Kosove, iu njoftojmë se Prokurori i rastit ka bërë kërkesë në Polici, për veprime hetimore”, ka thënë për KALLXO.com, Yllka Shehu zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Në emisionin e Drejtësia në Kosovë, biznismeni Hajdar Podrimja rrëfeu në emision se vëllai i Hajdar Beqës i ka kërkuar 33 % të aksioneve të kompanisë për t’i hapur rrugë nënshkrimit të një kontrate në komunë.

Në lidhje me hulumtimin e Drejtësia në Kosovë ka reaguar edhe vetë Hasan Beqa.

Hasan Beqa ka reaguar në Facebook  duke thënë se biznesmeni Hajdar Podrimaj po e akuzon për gjëra qesharake.

Ai nuk e ka mohuar asnjëherë që i ka kërkuar këtij biznesmeni 33 përqindëshin e kompanisë, mirëpo e ka quajtur Podrimajn mashtrues pasi kompania nuk është e regjistruar në emrin e tij.

“Akuzë qesharake. Ky Zotri Hajdar Podrimaj më akuzon se nuk kam bashkpunu , nuk i kam ndihmu dhe nuk kam përdorë influencën kinse politike për me fitu një tender qe e paska humbur. Nëse kjo është akuza se qenkam fajtorë po t’i ndihmoja në tender ose do bashkëpunoja me biznes të përbashkët ne këtë tender, ose do kurruptohesha, ose do të korruptoja dikë për këtë tender a do të akuzohesha”, shkroi Beqa në Facebook.

Në lidhje me emisionin ka reaguar edhe deputeti i PDK-së Hajdar Beqa.

“E them me përgjegjësi morale e juridike, që unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë proces, dhe dy personat e ashtuquajtur biznesmen kanë keqpërdorur emrin tim. Une i bëj thirrje Prokurorisë se sa më shpejtë që është e mundur ta hetojnë këtë rast”, shkroi ai.

https://kallxo.com/reagon-hajdar-beqa-i-ben-thirrje-prokurorise-ta-hetojne-vellain-e-tij/

https://kallxo.com/reagon-vellai-i-hajdar-beqes-nuk-mohon-33-perqindeshin/

Negociatat për ankandin; vëllai i deputetit kërkon 33% të biznesit