Foto-ilustrim

Prokuroria: 13 vjeçari i varur në litar nuk kishte shenja dhune

Prokuroria Themelore në Ferizaj po heton rastin 13 vjeçarit nga po i njëjti vend i cili u gjet i varur në litar gjatë ditës së djeshme.

KALLLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Prokurorisë së Ferizajt për të njëjtin rast.

Prokuroria ka thënë se në lidhje me rastin janë intervistuar prindërit dhe gjyshi i 13 vjeçarit.

Gjithashtu në përgjigjet për KALLXO.com, Prokuroria ka thënë se në vendin e ngjarjes pasi është marrë njoftimi nga ana e Policisë, ka dalë Njësiti i Forenzikës si dhe hetuesit rajonal dhe pas konstatimit të mjekut se 13 vjeçari nuk ka shenja dhune nuk është bërë kërkesë për obduksion.

“Në vendin e ngjarjes ka qenë Njësiti i Forenzikës si dhe hetuesit rajonal  dhe në bazë të raportit të tyre si dhe konstatimit të mjekut kujdestar është konstatuar se në trupin e të ndjerit nuk ka shenja dhune, prandaj nuk është bërë kërkesë për obduksion të trupit të pajetë të të ndjerit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë në lidhje me rastin.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i ndjeri para se të gjendej i varur në litar kishte qenë duke lozur e bashkëmoshatarët tjerë.

Sipas Gashit, familjarët e të ndjerit kanë deklaruar se ai nuk ka pasur ndonjë problem.

“Sipas dëshmive të familjarëve i ndjeri nuk kishte pasur kurrfarë problemi. Dhe para se të ndodhte rasti i njëjti kishte qenë duke lozur me moshatarët e tij para shtëpisë së tij”, ka thënë për KALLXO.com toger Agim Gashi.

Gashi ka deklaruar se Policia e ka pranuar informacionin për rastin nga shërbimi i emergjencës në ora 18:10 të martën.

“Informacionin e kemi marr nga shërbimi i emergjencës në ora 18:10 min, pasi familjarët e kishin sjellë aty viktimën, dhe mjeku kishte konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë”, ka thënë ai.

https://kallxo.com/vdekja-e-13-vjecarit-nga-ferizaj-policia-jep-detaje/

.