Ilustrim

Prokurori: Polici tentoi ta zhdukë inçizimin pas vrasjes në kazinon e Suharekës

Polici, Sh.S  ,i dyshuar për vrasje, po konsiderohet i rrezikshëm nëse qëndron në liri, gjatë hetimit të rastit.

Prokuroria dhe mbrojtja e rreshterit të dyshuar për vrasje dhanë argumentet e tyre nëse polici duhet të qëndrojë në paraburgim apo jo.

Një 32 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës është vrarë të dielën në mëngjes në një kazino të qytetit, ku po punonte.

Sh.S, i dyshuar për këtë vrasje, sipas prokurorisë ka tentuar t’i zhdukë provat që e inkriminojnë atë.

Prokurori Mehdi Sefa  tha se nëse i njëjti qëndron në liri, mund të tentojë sërish të shkatërrojë provat.

“Rreth asgjësimit të provave i njëjti menjëherë pas kryerjes se veprës penale ka tentuar të asgjësojë provat, dhe atë video inqizimin brenda vendit ku është kryer vepra penale . Andaj i njëjti po të qëndrojë në liri ai mund të tentojë përsëri shkatërrimin e provave”, tha prokurori.

Në anën tjetër, avokati Sefer Morina  e kundërshtoi caktimin e paraburgimit , sepse sipas tij nuk ka prova që e bëjnë të mbrojturin  e tij , fajtor për këtë vrasje.

“Përveç se është konstatuar vdekja e viktimës nga ana e raportit mjekësor, video inqizimeve të vendit te ngjarjes si dhe një pistolete e cila është në pronësi të pandehurit Sh.S e që e njëjta është në shfrytëzim zyrtar pasiqë i pandehuri me profesion edhe është polic, nuk është vërtetuar me asnjë provë se i njëjti është kryerës i veprave penale që pretendon prokuroria”, tha avokati.