Gjykimi për vjedhje të rëndë

Prokurori ndryshon aktakuzën ndaj të akuzuarve për vjedhje të rëndë

Në Gjykatën e Gjakovës, u dha fjala përfundimtare për të akuzuarit për vjedhje të rëndë dhe grabitje.

Prokurori i çështjes ka bërë ndryshimin dhe plotësimin e aktakuzës veçmas për të dy të akuzuarit e parë, pasi që për të akuzuarin Shkumbin Morina hoqi dorë nga aktakuza.

Avokati Genc  Juniku, mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Ukëhaxhaj, i propozoj gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet paraburgimi, me arsyetimin se kanë pushuar arsyet për të cilat edhe i është caktuar.

Prokurori Ali Uka, deklaroj se heq dorë nga aktakuza për të tre të akuzuarit për veprën penale të grabitjes, me arsyetimin se nuk është arritur të vërtetohet fajësia e tyre gjatë shqyrtimit gjyqësor, mirëpo deklaroi se heq dorë nga aktakuza për veprën penale të vjedhjes dhe të grabitjes ndaj të akuzuarit Shkumbin Morina.

“Ndërsa mbetem në tërësi pranë aktakuzës për vjedhje të rëndë për të dy të akuzuarit Lorik Beqiraj dhe Jetmir Ukëhaxhaj, sepse konsideroj se qëndrojnë të gjitha elementet qenësore të veprës penale dhe i propozoj gjykatës që të njëjtit ti shpall fajtor”, tha prokurori Ali Uka.

Lorik Beqiraj, Jetmir Ukëhaxhaj dhe Shkumbin Morina, po akuzohen nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, për veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe për veprën penale të grabitjes në prompën e benzinës në fshatin Smolicë të Gjakovës.

Fehmije Zhubi mbrojtësja e të akuzuarit Lorik Beqiraj, në fjalën e saj përfundimtare deklaroj se “nga provat e nxjerrura gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i mbrojturi im Lorik ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë, andaj në rastin konkret konsideroj se nuk ka prova për veprën penale të vjedhjes, e poashtu edhe gjendja faktike paraqitet e dyshimtë, andaj i propozoj gjykatës që i mbrojturi im në mungesë të provave të lirohet nga aktakuza”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Ukëhaxhaj avokati Genc Juniku, në fjalën e tij përfundimtare deklaroj se duke qenë në cilësinë e të autorizuarit sipas detyrës zyrtare, në tërësi e kundërshtoj aktakuzën e Prokurorisë, për shkak se e njëjta është e ndërtuar në bazën e dyshimeve jo të argumentuara në prova materiale dhe fakte esenciale.

“Në këtë aktakuzë ndaj të akuzuarit Jetmir nuk është parashtruar asnjë provë materiale si: gjurmët papilare, adn-ja, foto nga kamera, sms ose bisedat telefonike të bëra në ditën kritike me të akuzuarin Lorik, andaj gjykatës i propozoj që këtë aktakuzë ta refuzoj si të paargumentuar dhe të mbrojturin tim ta liroj nga përgjegjësia penale”, tha Juniku.

“Nëse gjykata gjen se në veprimet e të mbrojturit tim ka elemente të veprën penale, atëherë i propozoj gjykatës që gjatë marrjes së dënimit si rrethanë lehtësuese të ketë parasysh kushtet ekonomike, sjelljen e tij të mëparshme, gjendjen statusore të tij të martuar me dy fëmijë”, tha avokati Genc Juniku.

Prezent nuk ishin të dëmtuarit Zgjim Kurti dhe Faton Xërxa.

Sa i përket mbrojtësit të të akuzuarit Shkumbin Morina, avokati Masar Vula tha se “meqenëse prokurori i rastit hoqi dorë nga aktakuza për të mbrojturin tim, atëherë nuk kam çfarë të deklaroj”.

Gjyqtari Nikollë Komani shpalljen e aktgjykimit e caktoj për datën 23 Korrik.

Sipas aktakuzës me 2 Dhjetor të vitit 2016, pasi që janë marrë vesh mes veti ia marrin pasurinë të dëmtuarit Faton Xërxa.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se i akuzuari Lorik Beqiraj, huazon një automjet të tipit “Tojota” dhe bashkë me dy të akuzuarit tjerë shkojnë të autolimari “Drilon”, pronë e Fatos Xërxes.

Ata me pas, sipas aktakuzës duke përdorur forcën hapin dyert e punëtorisë dhe marrin automjetin e tipit “Mercedes A-Klas”, me tabela të shtetit gjerman, i cili ishte në riparim dhe i shkaktojnë dëm të dëmtuarit në shumë prej 4000 euro.

Në aktakuzë sqarohet se i njëjti automjet është gjetur nga ana e policisë dhe është sekuestruar.

Aktakuza më tutje shpjegon se me datën 3 dhjetor 2016, të akuzuarit nën kanosjen e armës dhe të maskuar ia marrin pasurinë e të dëmtuarit Zgjim Kurti, punëtor në pompën e derivateve në “Petrol Company” në Gjakovë.

Paratë sipas aktakuzës, iu kërkuan Zgjim Kurtit, nga njëri nga të pandehurit nën kërcënimin e armës, ndërsa i dëmtuari për këtë arsye detyrohet t`i japë shumën prej 220 eurove.

Me këto veprime dyshohet se të akuzuarit ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe veprën penale të grabitjes.

https://kallxo.com/kerkohet-plotesimi-i-ekspertizes-ne-rastin-e-vjedhjes-se-vetures-dhe-grabitjes-ne-pompe-te-benzines/

https://kallxo.com/japin-mbrojtjen-e-tyre-te-akuzuarit-per-vjedhje-te-vetures-dhe-grabitje-ne-pompe-te-benzines/