Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Hysni Hoxhës - Foto: KALLXO.com

Prokurori Kërkon Dënimin e Ish-Shefit të Tenderëve

Në gjykimin e ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, zyrtarit të këtij institucioni, Hysni Muhadri dhe kontabilistit të kompanisë “Conex Group”, Arsim Robelli, është dhënë fjala përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare prokurori i çështjes Sylë Hoxha kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadrin t’i shpallë fajtorë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare si dhe të akuzuarin tjetër Arsim Robellin ta shpallë fajtor për falsifikim të dokumenteve, dhe të njëjtëve t’u shqiptojë dënimet e parapara me ligj.

“Pas mbajtjes së disa seancave si dhe seancës kryesore dhe pas analizimit të provave, pastaj pas vlerësimit të të njëjtave, e po ashtu sipas provave në shkresat e lëndës, pas mbrojtjes së parashtruar nga vetë të akuzuarit në tërësi është vërtetuar gjendja faktike për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, tha ndër të tjera prokuroi Hoxha në fjalën e tij përfundimtare.

Kurse mbrojtja e Hysni Hoxhës, avokati Sahit Bibaj në fjalën e tij përfundimtare tha se gjatë gjykimit nuk është provuar se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Sipas tij, element qenësor i veprës penale  për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij është përfitimi për vete dhe për të tjerët por që sipas tij prokuroria në asnjë rrethanë nuk ka mundur të provojë se i mbrojturi i tij ka përfituar nga ana financiare apo i ka shkaktuar dëm ndokujt.

Andaj kërkoi nga Gjykata që në përputhje me kodin penal të procedurës penale të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza pasi që nuk është vërtetuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Edhe vetë Hysni Hoxha kërkoi nga trupi gjykues që ta lirojë nga aktakuza, pasi që sipas tij vetë aktakuza është absurde.

“Për çka jam unë këtu është vërtetë absurde dhe unë mendoj se atëherë kjo masë ka qenë aktuale për shkak të grupit të interesave të cilët kanë kërkuar me çdo kusht eliminimin tim por sot përsëri të aktualizohet dhe të kërkohet nga prokurori që unë të dënohem më të vërtetë mua po më habitë shumë dhe kërkoj prej Gjykatës që t’i ketë parasysh të gjitha provat që i kemi dorëzuar përmes mbrojtësit tim dhe njëherësh ta hedhë poshtë aktakuzën si të pabazuar duke më liruar nga çdo përgjegjësi sepse sinqerisht po ju them se jam krejtësisht i pafajshëm”, tha në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari Hysni Hoxha.

Edhe avokatja Rina Kika tha se provat dhe dëshmitë e dëgjuara gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor kanë dëshmuar pafajësinë e klientit të saj, Hysni Muhadrit. Me këtë rast kërkoi nga Gjykata që pas shqyrtimit të provave të mbrojturin e saj ta lirojë nga aktakuza.

Njëjtë deklaroi edhe vetë i akuzuari, me ç’rast tha se është krejtësisht i pafajshëm sepse gjatë punës së tij është munduar të jetë i paanshëm dhe se nuk ka qenë në interesin e tij ta bëjë të kundërtën.

Sipas tij, kjo është vërtetuar edhe gjatë seancave dhe gjatë hetimeve për çka kërkoi që të shpallet i pafajshëm.

Kurse avokati i Arsim Robellit, Kujtim Kërveshi, në fjalën e tij përfundimtare tha se për t’u plotësuar figura e veprës penale të falsifikimit, ndërhyrja ose përpilimi i rremë është kusht qenësor por sipas avokatit dokumenti ka qenë origjinal dhe korrigjimi nuk ka qenë i rremë.

Sipas avokatit Kërveshi, jo që nuk ka dashje direkte por nuk ka as dashje eventuale, andaj kërkoi nga Gjykata që të marrë aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

“Kërkoj nga Gjykata që me vendosjen meritore të shpallë aktgjykim lirues, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, mungesën e figurës së veprës penale, deklaratat e dëshmitarëve, dhe një keqkuptimi të krijuar nga Prokuroria për shkak të një institutit ligjor të panjohur për hetuesinë e prokurorinë që është korrigjimi i deklaratave sepse përveç korrigjimit nuk ka në asnjë formë që ka të bëjë me falsifikimin e asnjë dokumenti dhe nuk ka pasur asnjëherë provat të mjaftueshme që i mbrojturi im e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha në fjalën e tij përfundimtare avokati Kujtim Kërveshi.

Edhe vetë i akuzuari Arsim Robelli tha se pajtohet me fjalën përfundimtare të avokatit të tij dhe se ai ndjehet krejtësisht i pafajshëm.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, më datën 20 qershor 2013, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie kompania “Conex Group”, sh.p.k., Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, të iniciuar nga autoriteti kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre.

http://kallxo.com/ngritet-aktakuze-ndaj-shefit-te-tendereve-hysni-hoxha/

Ata akuzohen se duke i fshehur provat e siguruara nga ATK-ja para dy anëtarëve tjerë të panelit shqyrtues të drejtuar nga Hysni Hoxha, ku në mungesë të këtyre provave anëtarët e panelit bien në lajthim dhe refuzojnë ankesën e operatorit ekonomik ankues, me ç’rast kompanisë “Conex Group” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1.779.759,54 euro.

Ndërsa Arsim Robelli, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të kontabilitetit përmes biznesit “Es – Services” për biznesin “Conex Group”, me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për biznesin “Conex Group”, në bashkëkryerje dhe me dashje përpilojnë dhe përdorin dokumentet e falsifikuara dhe atë raportet e kontributeve për punëtorët e biznesit “Conex Group” për periudhat tremujore TM-4 2010 dhe TM-4 2011, ku të njëjtat i dorëzojnë në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, ku si rezultat i përdorimit të këtyre dokumenteve kompania “Conex Group” është trajtuar si operator i përgjegjshëm dhe është shpallur fitues i kontratës në vlerë prej 1.779.759,54 euro.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 27 Nëntor.

http://kallxo.com/ne-gjyqin-e-hysni-hoxhes-kompanite-nuk-ndihen-te-demtuara/

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga ky gjykim. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.