Gjykimi i imamëve dhe Fuad Ramiqit | Foto: KALLXO.com

Prokurori kërkon ‘dënim shembullor’ për imamët dhe Ramiqin

Gjykimi ndaj katër imamëve dhe Fuad Ramiqit për veprat penale të terrorizmit i është afruar fundit.

Në gjykimin e Fuad Ramiqit dhe katër imamëve Bedri Robajt, Idriz Bilibanit, Enes Gogës dhe Mazllam Mazllamit, të cilët po akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë është mbajtur fjala përfundimtare.

Paraprakisht, Mazllam Mazllani dhe Fuad Ramiqi në marrjen në pyetje shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje, duke qëndruar pranë deklaratave të dhënë më herët.

Më pas, prokurori special Haki Gecaj vazhdoi fjalën përfundimtare.

Ai tha se është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilën ngarkohen- Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani për veprën penale të shtytjes për kryerjen e veprave terroriste, Enes Goga dhe Mazllan Mazllani për nxitje të urrejtjes dhe përçarje, si dhe Fuad Ramiqi për thirrjen për rezistencë.

Prokurori deklaroi se nga provat vërtetohet se i akuzuari Bedri Robaj ka qenë i angazhuar në xhaminë Termokosi pa asnjë autorizim të organeve të autorizuara. Po ashtu, prokurori deklaroi se nga provat rezulton se ka mbajtur ligjërata edhe në Shqipëri e në vendin e quajtur Spille së bashku me një të dënuar për vepra të terrorizmit.

“Organizatës terroriste ‘Al Nusra’ i janë bashkangjitur shumë të rinj vetëm nga ligjëratat që ka mbajtur ky, janë vrarë apo janë në procedurë gjyqësore”, shtoi prokurori.

Ndërkaq, për të akuzuarin Idriz Bilibani, tha se dëshmitari Bahri Kovaçi, djali i të cilit ka shkuar në Siri ka vërtetuar se i akuzuari Bilibani me ligjëratat e tija ka ndikuar që djali i këtij dëshmitari të marrë rrugën drejt Sirisë.

“Ne dyshojmë se Idriz Bilibani e ka shtyrë djalin tonë të shkojë në Siri”, citoi prokurori fjalët e dëshmitarit Bahri Kovaçi.

Prokurori përmendi edhe persona të dënuar për terrorizëm që kanë mbajtur ligjërata në xhaminë ku ishte imam Bilibani.

“Zeqirja Qazimi, Fatos Rizvanolli, Leonis Frangu të cilët persona ose janë dënuar me vepra të terrorizmit, ose gjenden në luftë. Këta i kanë mbajtë ligjëratat tek ai”, shtoi prokurori.

Më tej, lidhur me të akuzuarin Enes Goga, prokurori tha se ka keqpërdorur pozitën si hoxhë në një ligjëratë fetare të mbajtur para besimtarëve në Pejë e cila është publikuar në në youtube.

Fjala e prokurorit Geci u përmbyll me të akuzuarin e fundit, Fuad Ramiqin.

Sipas prokurorit, deklaratat e Ramiqit që e ngarkojnë atë për thirrje për rezistencë, janë dhënë ne kohën kur në Kosovë me vendime të organeve të drejtësisë ishin bërë arrestime të personave që po u bashkoheshin organizatave terroriste, madje në mesin e tyre edhe hoxhë Shefqet Krasniqi.

“Nuk do të rrimë duarkryq përballë terrorit që po u bëhet myslimanëve në facebook”, lexoi prokurori nga shkresat e lëndës një rresht për të cilin pretendon se Ramiqi e ka publikuar në rrjetin social ‘facebook’, duke komentuar se kjo nuk nënkuptohet ndryshe përveç si thirrje për revoltë të qytetarëve.

Prokurori Geci tha se të akuzuarit janë penalisht përgjegjës dhe veprat i kanë kryer me dashje dhe me dijeni, ndërsa propozoi që të shpallen fajtorë dhe të dënohen me një dënim “shembullor”, në mënyrë që të tjerët ta kenë shumë më të vështirë dhe të mendohen para se të kryejnë vepra penale.

Të gjithë avokatët mbrojtës kërkuan që të ketë aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre, por avokati i Mazllam Mallzamit, Bajram Tmava, e cilësoi prokurorinë aleate të politikës.

“Aleat i politikës është bërë Prokuroria Speciale. Këtu më së shumti ka përfituar politika, sepse kemi dalë me statistika që është e para në Ballkan që e lufton terrorizmin”, tha Tmava.

Ai përmendi në fjalën e tij edhe komunitetin LGBT.

“Komuniteti LGBT, ky komunitet prej të gjitha feve akuzohet, Papa nuk len ligjërata pa bo ftesë në popullata katolike që kësaj dukurie t’i largohen krejt”, shtoi ai.

Përveç avokatëve, edhe të akuzuarit kundërshtuan provat e prokurorisë.

I akuzuari Bedri Gogaj në fjalën e tij përfundimtare tha se prokurori nuk ka cekur ndonjë emër të ndonjë ligjërate përmes së cilës janë nxitur njerëzit që t’i bashkohen ISIS-it, madje ai tha se improvizimi i xhamisë “Termokosi” ka ardhë për shkak të numrit të madh të besimtarëve që kanë praktikuar fenë në objektin e Bashkësisë Islame, e jo për shkak se kanë qenë kundër tyre.

“Sa i përket Spille-së, aty kam qëlluar dy ditë dhe temën që e kam folë atë ditë ka qenë ‘Të mos i bësh shok Zotit në adhurim’ se në asnjë aspekt nuk është debatuar për tema të tjera”, tha ai.

Ndërkaq, i akuzuari Idriz Bilibani i cili në sallë të gjykatës foli në gjuhën boshnjake, tha se prokuroria nuk e ka gjetur asnjë boshnjak që ka shkuar në Siri si pasojë e ligjëratave të tij të cilat i mban që nga viti 2008.

Po ashtu, Enes Goga tha se dëshmitari nga BIK i ftuar në gjykatë ka konstatuar se nuk ia bartin përgjegjësinë.

I radhituri i fundit në aktakuzë, Fuad Ramiqi, deklaroi se burgosja e tij ka qenë e fabrikuar politikisht.

“Konsideroj se burgosja ime dhe akuza ime është e fabrikuar politikisht me motivim për të më diskredituar si personalitet, për të më frikësuar, për ta frikësuar subjektin politik të cilin unë e kam prezentuar, myslimanët e Kosovës, si dhe për ta vendosur një atmosferë antiislame në Kosovë në mesin e popullatës. Kjo për faktin se nuk kam keqpërdorur asgjë nga atdheu im”, tha Ramiqi.

Ai kërkoi që të mbrohet liria e tij e shprehjes, siç po mbarohet komuniteti LGBT.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në  “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.