Prokurori Abdurrahim Islami. Foto: Kallxo.com

Prokurori i sulmit në Kuvend ndjek Azem Sylën

Seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit të PDK-së Azem Syla si dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka” është shtyrë.

Ndonëse sot ka qenë e paraparë që të mbahej shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si “Toka”, mungesa e prokurorit të Prokurorisë Speciale Abdurrahim Islamit si dhe dy të akuzuarve Ilaz Syla e Mustafë Haliti ka bërë që seanca e sotme të mos mbahet dhe e njëjta të shtyhet për datën 3 shtator.

Prokurori Islami në vitin 2016 poashtu kishte ngritur aktakuzë lidhur me rastin e sulmit në Kuvendin e Kosovës ku të akuzuar ishin pesë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

 Gjykata e Apelit në Prishtinës, rastin e këtyre aktivistëve e ka kthyer në rigjykim.

“Meqë mungon prokurori i shtetit nuk ka kushte ligjore për mbajtje të seancës së sotme, kryetari i trupit gjykues merr aktvendim që seanca e shqyrtimit të sotëm të shtyhet dhe seanca e radhës caktohet për datën 3 shtator“, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritej  te mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit të PDK-së Azem Syla si dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka”.

Më 20 shkurt të këtij viti, kryetari i trupit gjykues i EULEX-it Petko Petkov, njoftoi se kjo lëndë është transferuar tek gjyqtarët vendorë.

Një vendim të tillë prokurori i EULEX-it që përfaqësonte këtë lëndë e pati quajtur “përfundim i rastit”.

Pak kohë pasi rasti u transferua tek vendorët, gjyqtari vendor e liroi nga masa e paraburgimit Azem Sylën, ndërsa këtë vendim e ndryshoi Gjykata e Apelit duke i vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Saktësisht më 12 mars të këtij viti KALLXO.com raportoi se Azem Sylës i ishte ndërprerë paraburgimi.

Ndërsa javë më pas, Gjykata e Apelit, ia ndryshoi vendimin e Themelores duke e kthyer në arrest shtëpiak.

Në lidhje me këtë rast në fazën e hetimeve janë mbajtur afër 20 seanca gjyqësore, janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa si rrjedhojë e ndryshimit të trupit gjykues, ky rast rrezikon të rikthehet që në fillim dhe rrjedhimisht dëshmitarët duhet të dëgjohen përsëri.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016  ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.