Një seancë e gjykimit ndaj Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit dhe Nuredin Sylejmanit. Foto: Kallxo.com

Prokurori i EULEX-it largohet nga rasti për terrorizëm

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm Ardian Mehmeti, Valon Shala, Genc Selimi, Musli Hyseni dhe Nuredin Sylejmani, është ndërruar prokurori i çështjes.

Gjatë seancës së sotme e cila u shty në mungesë të kushteve për t’u mbajtur ky shqyrtim gjyqësor, u bë e ditur se prokurori i EULEX-it Dreë Engle i kishte kaluar lëndën prokurorit të prokurorisë speciale Afrim Shefkiu, i cili tash e tutje do ta ndjekë këtë çështje penale.

Arsyeja e kalimit të kësaj lënde tek prokurori vendor u tha të jetë për shkak të përfundimit të misionit të EULEX-it.

Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë do ta përfundojë mandatin aktual pas 40 ditëve, më 14 qershor të këtij viti.

Ndërsa seanca e sotme u shty në mungesë të njërit prej të akuzuarve Ardian Mehmetit, për të cilin udhëheqësi i njësisë së transportit Safet Latifi, tha se rreth orës 9:40, njësia përcjellëse e Policisë së Kosovës e kishte njoftuar se akoma nuk e kishin nisur nga qendra e paraburgimit.

Pastaj udhëheqësit të njësisë së transportit, nga kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi i është thënë që të mos e nisë të akuzuarin pasi që paraprakisht edhe prokurori kishte shqetësime se kjo seancë nuk do të mund të mbahej.

Këtë shqetësim prokurori e kishte ngritur pasi që ishte njoftuar se për seancën e sotme nuk do të jetë e mundur dëgjimi i dëshmitarit të mbrojtur. Kjo ka ndodhur për faktin se, sipas prokurorit Afrim Shefkiu, zyrtarët e EULEX-it kanë pasur për obligim që ta sigurojnë praninë e këtij dëshmitari por për shkak të pushimit të misionit të EULEX-it një gjë e tillë nuk është bërë.

http://kallxo.com/deshmitari-cokollata-iphone3-dhe-vetura-kodet-e-te-akuzurve-per-armet/

“Meqë kjo lëndë penale definitivisht ka kaluar në kompetencë të prokurorit vendor dhe se nga seancat e kaluara zyrtarët e EULEX-it patën marrë për obligim sigurimin e dëshmtarëve të mbrojtur por që sot në mëngjes kuptova se për shkaqe administrative te EULEX-it përkatësisht procedurave të pushimit të misionit kjo urdhëresë nuk është zbatuar ndërkohë që ka qenë e pamundur që brenda një ore të kryhen këto procedura nga ana e prokurorit vendor për sigurimin e dëshmitarit të mbrojtur andaj për shkaqe objektive dhe në pamundësi të sigurisë së dëshmitarit të mbrotjur me keqardhje kërkojmë që shqyrtimi i sotëm të shtyhet për datën sipas agjendave të parapara nga kjo gjykatë”, tha prokurori special Afrim Shefkiu.

http://kallxo.com/polici-inflirtuar-rrefen-takimet-te-akuzuarit-per-terrorizem-per-blerjen-e-armeve/

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Kallxo.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.