Prokurori Heq Dorë nga Ndjekja e Djalit të Kryeministrit

Gjatë paraqitjes se fjalës përfundimtare prokurori Ali Rexha ka hequr dorë nga ndjekja e Besnik Mustafës në rastin e të mbeturve në aeroport.

Ndjekja penale ka pushuar edhe ndaj Selajdin Ujkanit e Shefqet Çerkinit.

Mustafa, Ujkani e Çerkini ishin punonjës të bankës BpB të akuzuar për shpërdorim detyre.

Prokurori Rexha u tërhoq nga ndjekja penale e tre të akuzuarve, ngase e pranoi se gjatë shqyrtimit të deritashëm gjyqësor nuk janë gjetur prova për fajësimin e tyre.

Besnik Berisha, avokati i Besnik Mustafës gati një orë më parë, para se të niste seanca e sotme tha fjalë të ngjashme me prokurorin në një postim në Facebook.

“Unë besoj se Prokuroria do të reflektojë dhe do konstatojë se as edhe një provë e vetme inkriminuese nuk ka ngelur, andaj nëse do te ketë një vlerësim objektiv, ata do të duhej të tërhiqeshin nga ndjekja penale kundër z. Besnik Mustafa dhe të tjerëve, sot, pikërisht ne fjalën përfundimtare”, shkroi Besnik Berisha.

Edhe Mexhid Syla, avokati i Selajdin Ujkanit e mbështeti pushimin e ndjekjes penale ndaj klientit të tij nga prokurori Rexha, por shprehu pakënaqësinë për shtatë vjet të humbura në këtë proces që nga nisja e hetimeve ndaj Ujkanit dhe dy kolegëve të tij.

Megjithatë prokurori nuk hoqi dorë nga ndjekja penale e katër të akuzuarve tjerë, ngase për ta tha se ka prova që ua vërtetojnë fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor për shpërdorim detyre ngarkohen edhe zyrtarët e Ministrisë së Transportit Ismail Berisha dhe Nexhat Bala, ndërsa për mashtrim akuzohen biznesmenët Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi.

Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi do ta paraqesin fjalën përfundimtare më 20 tetor, ndërsa Ismajl Berisha dhe Nexhat Bala e deponuan këtë fjalë me shkrim.

Gjykimi lidhet me 1 mijë e 600 udhëtarët të cilëve në vitin 2009 nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës.

Ky gjykim, përpos rastit të udhëtarëve të mbetur pa fluturim, ka tërhequr vëmendjen e mediave edhe për shkak se njëri nga të akuzuarit është edhe Besnik Mustafa, djali i kryeministrit aktual.