Prokurori: Droga Depërton Edhe në Burgjet e Amerikës

Prokurori i Shtetit, Shqipdon Fazliu, nuk e konsideron alarmante gjendjen e burgjeve në përgjithësi në Kosovë dhe as atë të Prizrenit në veçanti.

Hulumtimi i KALLXO.com vitin e kaluar kishte treguar rreth privilegjeve që një i burgosur kishte arritur të sigurojë brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren duke ndërtuar dhomë private ndër të tjera.

E po në këtë qendër, disa ditë më parë ndërroi jetë në rrethana ende të dyshimta, 26 vjeçari Astrit Dehari në muajin e dytë të paraburgimit atje.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ të moderuar nga Jeta Xharra u diskutua çështja e sigurisë në burgje dhe privilegjet apo keqtrajtimet që ndodhin ndaj të burgosurve në shërbime korrektuese të Kosovës.

Megjithatë, Prokurori Fazliu thotë se probleme të tilla si qendra e Prizrenit, kanë pasur edhe qendra të tjera dhe në nivel vendi sipas tij nuk kemi probleme unike.

“Nuk është ky vendi i vetëm ku ka pasur probleme, kanë pasur edhe qendra të tjera të paraburgimit, nuk është edhe vetëm Kosova që ka pasur këso probleme, ngase të gjitha vendet e botës përballen me probleme të mëdha në këtë drejtim”, tha Fazliu.

Ai madje vlerëson se shifra shumë më alarmante edhe të kontrabandimeve me drogë apo gjësende tjera ndodhin në vende të zhvilluara si SHB A-të

“Një artikull i ‘Washington Times’, thotë se brenda një viti, në burgjet e Kalifornisë ka mbi një mijë konfiskime të drogave të cilat hyjnë në burgje dhe paramendoni se çfarë sistemi të sigurisë dhe zhvillimi të madh ekonomik, politik e juridik kanë ata”, vlerëson Fazliu.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta shikoni në linkun më poshtë: