Foto: REL/AFP

Prokurorët Gjermanë Kërkojnë Ekstradimin e ish-Liderit Katalanas

Prokurorët gjermanë i kërkuan një gjykate të lejojë ekstradimin në Spanjë të ish-udhëheqësit separatist katalanas, Carles Puigdemont.

Prokurorët në qytetin Shlesvih thanë se e kanë paraqitur kërkesën te gjykata rajonale, pas “shqyrtimit intensiv” të urdhërarrestit evropian, të lëshuar nga Spanja.

Puigdemont është ndaluar në Gjermani qysh më 25 mars.

Spanja e akuzon atë për rebelim dhe organizim të një referendumi të paautorizuar.

Gjykata në Shlesvih pritet të vendosë pas disa ditësh për ekstradimin ose jo të Puigdemontit.

Avokatët e tij i kanë bërë thirrje Qeverisë gjermane që të ndërhyjë në këtë rast, duke u thirrur në “dimensionin politik”.