Kuvendi i Kosovës

Projektligji që prek të drejtat e grave në pronë kalon pengesën e fundit në Komision

Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga koha kur ishte sponsorizuar njëri nga projektligjet bazike që prek të drejtat e grave në pronë po shkon drejt finalizimit.

Kështu, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore ka kaluar në testin e fundit në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës dhe pritet që së shpejti të kalojë në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Me shumicë të votave të anëtarëve të Komisionit për Legjislacion sot në mbledhjen e parë për sesionin vjeshtor janë shqyrtuar dhe miratuar amendamentet e propozuara në këtë projektligj, ndër to edhe amendamentet e BIRN dhe Internews Kosova.

Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova ka propozuar disa amendamente në lidhje me këtë Projektligji ndërsa amendamenti më i rëndësishëm dhe që ka gjetur mbështetje në grupet punuese të Komisionit është ai që përcakton audio dhe video-incizimin e seancave para noterit në rastet e shqyrtimit të trashëgimisë, sidomos në rastet kur hiqet dorë nga kjo e drejtë.

Kështu, në rast se ky Projektligj votohet në seancën e Kuvendit me amendamentet e propozuara, noterët do të jenë të obliguar që sipas kërkesës së palës të incizojnë audio dhe video seancat për heqjen dorë nga trashëgimia dhe këto materiale do të ruhen në arkiv të noterit dhe do të jenë të qasshme vetëm për Ministrinë e Drejtësisë por mund të shërbejnë si provë edhe në ndonjë proces gjyqësor eventual në lidhje me rastet përkatëse.

BIRN ka konsideruar se në këtë formë do të garantohet shprehja e lirë e vullnetit të trashëgimtarëve në procesin e trashëgimisë dhe po ashtu do të ketë shërbejë si mekanizëm që evidenton se noterët kanë udhëzuar drejtët palët për të drejtat dhe detyrimet e tyre e në veçanti për pasojat në rast të heqjes dorë nga e drejta e tyre në trashëgimi.

Krahas Projektligjit për Procedurën Jokontestimore, BIRN ka dhënë propozime edhe në dy projektligje tjera të pakos që synon të përmirësojë pozitën e gruas në procedurat trashëgimore, në Projektligjin për Noterin dhe Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë.