Komisioni për Legjislacion- Foto: KALLXO.com

Projektligji për Luftimin e Financimit të Terrorizmit Shkon në Kuvend

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, i cili do të nxirret për miratim në Kuvendin e Kosovës në seancën e së mërkurës.

Ndërsa, Komisioni për Legjislacion ka miratuar në pako raportin me amendamente të Komisionit funksional në Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Sipas zëvendëskryetarit të dytë të Komisionit për Integrime Evropiane, Slobodan Petroviq, Projektligji së bashku me amendamentet e propozuara nuk janë në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Deputetja dhe anëtarja e Komisionit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se për miratimin e Projektligjit e kanë kohën shumë të kufizuar. Ajo beson se do të miratohet të mërkurën.

“Është me rëndësi të potencohet se është një nga ligjet më të rëndësishme edhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit në vend dhe jo vetëm krimit por edhe një ndër veprave penale më të rëndësishme të përfshira në legjislacionin e Kosovës që është terrorizimi. Përkundër faktit që ne si Kuvend fatkeqësisht po përdorim procedurën e përshpejtuar, gjë e cila vazhdimisht kritikohet nga Bashkimi Evropian, mendoj që kjo është një prej rasteve kur detyrohemi ta bëjmë, në mënyrë që këtë Ligj ta kemi sa më shpejt”, tha ajo.

Sipas Osmanit, për ligje të tilla të rëndësisë së madhe që kanë qëllim të parandalojnë ose ta luftojnë korrupsionin, ta parandalojnë pastrimin e parave por edhe të parandalojnë financimin e terrorizmit për një vend si Kosova është me rëndësi që të ketë debat publik.

“Është me rëndësi që të kemi njohuri në mesin e deputetëve dhe është me rëndësi që të kemi kohë sa duhet edhe ne si Kuvend e jo vetëm ata që e sponsorizojnë ligjin”, theksoi Osmani.

Ndërsa, anëtari tjetër i Komisionit, i cili vjen nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, tha se kanë ftuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme edhe ministrin e Drejtësisë në raportim. Por, sipas tij, nuk kanë asnjë përgjigje lidhur me ftesën.

“Unë mendoj që është shkelje e rëndë e rregullores së Kuvendit dhe obligimeve kushtetuese që kanë ministrat, ndaj po dua ta përsëris kërkesën që për arsyet që i kemi cekur edhe herën e parë, të ftohet ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë për raportim në Komision”, kërkoi Haliti.

Edhe deputetja Osmani tha se duhet ta përsërisin ftesën edhe një herë dhe nëse ata nuk vijnë, duhet ngritur çështjen në Kuvend si komision.

“Pra të diskutohet kjo punë edhe në seancë, kjo nuk është normale. Ky komision kurrë nuk ka pas problem në përgjigje nga ministrat. Pajtohem që është shkelje e përgjegjësive kushtetuese të ministrave dhe jo vetëm injorim i deputetëve por injorim i institucionit më të lartë përfaqësues në vend dhe injorim i interesave të qytetarëve”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, ministrat duhet të vijnë dhe të përgjigjen për çështjet që janë të rëndësishme në vend.