Foto: MMPH

Projekti për studimin e ajrit në Kosovë, në fazën finale

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është takuar sot me menaxheren e projektit mbi cilësinë e ajrit, Kseniya Lvovsky dhe eksperten, Klas Sander, me të cilat ka biseduar në lidhje me projektin e ajrit që Banka Botërore po realizon në Kosovë.

Matoshi në takim ka deklaruar se task forca që ka krijuar kjo ministri për mbrojtjen e ajrit nga ndotja është shumë e rëndësishme.

“Krahas angazhimeve tona si task forcë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe si ministri, është i rëndësishëm dhe mirëpresim çdo studim dhe projekt që bëhet ne fushën e ajrit, prandaj presim që t’i kemi rezultatet e këtij studimi dhe bashkë të punojmë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend”, deklaroi ministri Matoshi.

Ndërsa, Kseniya Lvovsky ka thënë që si bankë janë në fazën finale  të realizimit të studimit mbi cilësinë e ajrit në vend, duke prezantuar edhe mënyrën e realizimit të studimit.

“Banka Botërore në vitin 2018 ka filluar me projektin për studimin krahasues në lidhje me ndotjen e ajrin në tri shtete, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje- Hercegovinë, duke krahasuar nivelin e ndotjes, pasojat shëndetësore dhe aspektin ekonomik të ndotjes. Tani jemi në fazën finale të përfundimit të studimit dhe në muajin shkurt të këtij viti do ti kemi rezultatet finale” deklaroi Lvovsky.

Ministri Matoshi dhe ekspertet e Bankës Botërore u zotuan që do të forcojnë bashkëpunimin në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e  mbrojtjes së ajrit nga ndotja.