Foto: EU NEAR/Twitter

Progresi për Kosovën 'Kur të Lejojnë Rrethanat Objektive'

Bashkimi Europian ka kërkuar nga Kosova që të vazhdojë të punojë në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim në mënyrë që të avancojë në rrugën e integrimit “atëherë kur ta mundësojnë rrethanat” ndërsa Serbisë dhe Malit të Zi i ka ofruar perspektivë anëtarësimi në këtë bllok në pas tetë vitesh.

Strategjia për Ballkanin Perëndimor, dokumenti për gjashtë vendet e Ballkanit, është publikuar sot në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Dokumejti kërkon që të gjitha vendet “pa hamendje” duhet të punojnë, me fjalë e vepra, për ta tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës, duke arritur pajtim në zgjidhjen e çështjeve të hapura, në veçanti në çështje të kufijve, para anëtarësimit në BE.

“Duhet të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme ligjërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që (të dyja vendet) të avancojnë drejt rrugës europiane”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BE.

“Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të MSA-së dhe të avancojë në rrugën e saj europiane atëherë kur këtë ta lejojnë rrethanat objektive”, thotë komunikata.

Mogherini, duke folur nga Brukseli, tha se Ballkani Perëndimor “është gjeografikisht pjesë e Europës”.

“Ne ndajmë vlera të përbashkëta, ne do të ndajmë të ardhme të përbashkët në të ardhmen – kjo është porosia kryesore politike që del nga strategjia që sapo miratuam”, tha Mogherini.

“Populli i Ballkanit dhe liderët kanë bërë të qartë zgjedhjen e tyre, që është perspektiva në BE. Muajt e ardhshëm do të jenë muaj kthese dhe shpresoj do të mbahen mend në historinë e Bashkimit Europian”, shtoi ajo.

Ndërsa Komisioneri Hahn tha se Strategjia është “rast historik” për rajonin.

“Kjo nënkupton që secili në rajon duhet të ketë interes për të punuar për perspektivën në BE dhe mbështetje reciproke”, tha Hahn.