Profesori që priste avancimin në UP, akuzohet për ngacmim seksual

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, në mbledhjen e sotme të Senatit të UP-së, tha se një kandidat për avancim është akuzuar për ngacmim seksual nga një kandidate për specializim.

Manxhuka- Kërliu tha profesori Milaim Sejdini i plotëson kriteret formale për avancim por ia tha se një kandidate për specializim e ka denoncuar atë për një ngacmim.

“Profesori Milaim Sejdini i plotëson të gjitha kushtet formale për avancim. Kam pasur një informatë sepse profesori është edhe drejtor i një klinike stomatologjike dhe një kandidate për specializante ka parashtruar ankesë për ngacmim seksual nga ky kandidat dhe bashkëshorti i saj i cili është staf profesional ka sulmuar profesorin në vendin e punës. Profesori e ka mohuar një deklaratë të tillë por organet e rendit janë duke u marrë me këtë çështje”, ka thënë ajo.

Prorektori Faton Berisha tha se ky nuk është rasti i vetëm i raportuar ndaj Sejdinit.

“Kandidati Milaim Sejdini ka pasur dy raste në këshill të etikës: njërin për ndryshimin e autorit edhe tjetrin për falsifikimin e recensurës dhe rastin e tij e kemi lënë për organet e rendit”, ka thënë ai.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli tha se nuk pajtohet që profesorët me probleme të tilla të avancohen, pavarësisht punimeve që në kushte normale do t’ua mundësonin.

“Çështjet që i paraqiti dekania janë shqetësuese. Avancimi në thirrje akademike te rastet kur janë kontestuese në këtë aspekt nuk duhet të ndodhin. Duhet të pritet vendimi i organeve. Në rast se është në Këshillin e Etikës duhet të pritet vendimi i Këshillit të Etikës dhe mandej të vendoset. Nuk mendoj që është në rregull vetëm të konstatohet që i ka kaq punime dhe është në rregull”, ka thënë Dugolli.

Por i kontaktuar nga KALLXO.com, Sejdini e ka mohuar akuzën për ngacmim.

“Kjo procedurë nuk fare të bëjë as një presje me të vërtetën. Kandidatja ka qenë e dobët si studente, mundohej t’i ikte për një arsye, mundohej burri i saj t’i ikte burgut, pra ta shpëtonte burrin e saj dhe ta jepte provimin pa njohuri elementare, këto janë ato shkaqet. Lënda është në procedim në Prokurori, shpejt do të kemi prej Prokurorisë një konfirmim definitiv. Ky është shantazh kryekëput i qëllimshëm”, tha Milaim Sejdini.

Vitin e kaluar, Sejdini ishte akuzuar nga asistentja e tij, Albena Reshitaj, për përvetësim të punimit të saj shkencor.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi, ka folur në mbledhje për rastin e akuzave nga Reshitaj.

“Në bazë të kandidates tashmë të avancuar Albena Reshitaj thuhet se kandidati Milaim Sejdini ka falsifikuar nënshkrimin e profesoreshës Gjina Mula. Në bazë të deklaratave të siguruara nga profesori, ku shihet se ka komunikuar me profesoreshën Mula, thuhet se ai ka kërkuar nënshkrimin e saj. Ne ishim në polici dhe te nënshkrimi nuk ka dyshime”, tha Kelmendi.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim