Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Profesori i UP-së kundër grevës në universitete, kërkon dorëheqjen e Marjan Demës

Rektorët e gjashtë universiteteve publike të Kosovës morën dje vendim që nga sot universitetet publike do të jenë në grevë të përgjithshme.

Këtë vendim ata e kanë marrë gjatë Konferencës së Rektorëve në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesave të tyre për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) dhe shfuqizimin e vendimeve të tyre.

Mirëpo, jo të gjithë mësimdhënësit e përkrahin këtë grevë.

Burime të KALLXO.com thonë se greva që përfshin gjashtë universitete publike nuk po gjen përkrahjen e një profesori të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

Profesori i Departamentit të Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Shukri Klinaku përmes një email-i drejtuar kolegëve të tij, ka deklaruar se rektori i UP-së, Marjan Dema, nuk e ka bërë të qartë kush është në grevë.

“Nëse ka menduar se të gjithëve (mësimdhënësit, punëtorët administrativë dhe studentët) na ka futur në grevë, atëherë ky është gabim i rëndë i tij. Për një vendim kaq kapital rektori do të duhej t’i mblidhte forumet statutare (këshillat e fakulteteve dhe senatin) dhe pastaj eventualisht të merrte vendim për çështjen në fjalë”, thuhet në letrën e tij, të siguruar nga KALLXO.com.

https://kallxo.com/universitetet-publike-kerkojne-shkarkimin-e-anetareve-te-kshc-se-dhe-riakreditimin-e-programeve-te-kaluara/

Madje profesori Klinaku ka aluduar edhe në atë se kjo grevë po zhvillohet si pasojë e ‘interesave’ të rektorit të UP-së me ndonjë nga dekanët e tij.

Profesori Klinaku ka kritikuar rektorin Dema duke thënë se “në vend se (rektori) të jap llogari bashkë me disa kolegë të tij për gjendjen e krijuar, ai ka zgjedhur të shfrytëzojë rrëmujën e madhe dhe të “kaloj lumin pa u lagur”.

https://kallxo.com/dokument-kshc-iu-pergjigjet-rektoreve-nuk-i-plotesuat-kriteret/

“Nuk është i rastit fakti se Fakulteti i Edukimit ka kaluar më së keqi me akreditim dhe këtë e di mirë edhe rektori, i cili ka qenë dhe është mbrojtësi kryesor i shkeljeve të rënda që bëhen në këtë fakultet. Konsideroj se rektori nuk është në gjendje të favorshme për të kërkuar dorëheqjen e dikujt, sepse ai i pari duhet të jap dorëheqje për gjendjen në të cilën e ka katandisur universitetin tonë.”, ka theksuar tutje profesori i FSHMN-së në letër.

Mes tjerash profesori Shukri Klinaku ka thënë se ideja për këtë grevë të përgjithshme universitare ka ardhur si pasojë e grevës së organizuar nga SBAShK-U.

“Personalisht jam kundër grevës të cilën rektori ia imponon UP-së, rrjedhimisht nuk i bashkëngjitëm asaj.”, ka thënë krejt në fund ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me profesor Klinakun, i cili e ka pranuar se u ka dërguar kolegëve të tij një letër me këtë përmbajtje.

Ai tha se nuk është i vetmi kundër kësaj greve por se kolegët e tij nuk po dëshirojnë të deklarohen.

Po ashtu, KALLXO.com i ka dërguar pyetje rektorit Dema rreth kësaj letre të profesorit Klinaku por deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje nga ai.

https://kallxo.com/apostolova-kunder-rektoreve-mbeshtet-agjencine-e-akreditimit/

https://kallxo.com/terhiqet-akreditimi-i-74-programeve-ne-universitete/

https://kallxo.com/rektoret-para-komisionit-per-arsim-ne-excel-pame-vetem-ngjyren-e-kuqe/

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

https://kallxo.com/koliqi-kerkesat-e-rektoreve-jane-jashte-kompetences-se-tyre/