Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë| Foto: Facebook

Profesorët e Pejës me pagë e honorare në dy vende të punës

Të paktën gjashtë profesorë të Universitetit të Pejës marrin pagë dhe shtesa për orë mbi normë në këtë universitet, përderisa janë të angazhuar edhe në universitete të tjera.

Rregullorja për të ardhura personale për stafin akademik në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, thotë se personeli akademik që ka dy marrëdhënie pune brenda apo jashtë këtij universiteti nuk mund të marrë orë mbi normë.

Megjithatë, Auditori i Përgjithshëm në auditimin e Ministrisë së Arsimit, kishte gjetur parregullsi në disa institucione të arsimit të lartë.

“Në gjashtë mostra kemi identifikuar se profesorët që kanë marrëdhënie të rregullt të punës dhe kontratë me orë mbi normë me Universitetin e Pejës ishin të angazhuar me kontratë pune me honorarë edhe në universitete tjera”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, dy profesorë ishin të angazhuar në Universitetin e Prizrenit, një profesor në Universitetin e Ferizajt dhe tre profesorë në Universitetin e Prishtinës.

Në raport theksohet se Universiteti i Pejës para nënshkrimit të kontratës për orë mbi normë kishte kërkuar nga profesorët të deklarojnë pagën sekondare (angazhimet tjera nëse kanë). Për mostrat e testuara, profesorët kishin deklaratat e nënshkruara se nuk kanë angazhime shtesë.

“Ne kemi vërejtur se profesorët kishin nënshkruar deklaratën edhe pse për periudhën e njëjtë ishin të angazhuar dhe paguar edhe në universitete tjera me honorar (pagë sekondare). Shkaku i këtyre pagesave ishin deklaratat e pasakta të stafit akademik për angazhimet e tyre dhe monitorimi i dobët i menaxhmentit të Universitetit të Pejës ndaj personelit akademik për të vërtetuar saktësinë e këtyre deklaratave”, thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar që Ministri së bashku me Rektorët e universiteteve duhet të siguroj monitorim ndaj personelit akademik në mënyrë që angazhimet të jenë në harmoni me rregulloren, dhe për të gjitha rastet sikurse këto të përmendura, të rishikohet mundësia e kthimit të mjeteve dhe statusi i ardhshëm i angazhimit të këtij stafi.