Donald Trump, majtas, mbërrin për të mbajtur fjalimin e fitores të mërkurën në Nju Jork. Nga e majta, Trump, djali i tij Barron, bashkëshortja Melania, Jared Kushner, dhe Ivanka Trump. (AP Photo/ Evan Vuçi)

Prodhuesi i Këpucëve nga Bosnja i Ftuar në Inaugurimin e Trump-it

Marinko Umicevic, drejtor i fabrikës Bema që ndodhet në Banja Llukë, tha për BIRN të mërkurën se ka pasur net pa gjumë që nga koha kur mori ftesën për në njërën nga festat e inaugurimit për presidentin e ri të SHBA-ve më 20 janar.

“Të hënën në mbrëmje mora një telefonatë nga agjencia të cilët më thanë se po organizonin ballon humanitare të inaugurimit. Më thanë që u kisha shkaktuar telashe. Me sa duket, unë isha i ftuar për në ballon e VIP-ve, mirëpo ata kishin harruar të më dërgonin ftesën më herët,” tha Umicevic.

Ai tha që nuk ka mundur të flinte gjithë natën për shkak të asaj telefonate, e cila kishte sjellë disa probleme.

“Më duhet ta gjej se çfarë dhurate t’i bëj Melanias, çfarë të blej për të. Nuk më intereson edhe aq për [Donald] Trump. Por më duhet të gjej diçka të mire për të,” tha Umicevic.

Umicevic tha se ai kishte pyetur dikë nga agjencia nëse mund ta merrte dikë me vete, dhe kur mori përgjigjen pozitive, ai tha se ai do e merrte Milorad Dodikun, Presidentin e Republikës Srpska.

“Gruas time nuk i pëlqeu kjo. Ajo tani është e nevrikosur dhe nuk dëshiron të mi hekurosë këmishat më,” tha Umicevic me një buzëqeshje.

“Nuk është e lehtë të shkosh në Amerikë, kam shumë gjëra për të përgatitur,” tha Umicevic i cili kaloi pjesën më të madhe të së martës duke përgatitur dokumentet për vizë amerikane.
Aplikimi i presidentit Dodik për të shkuar në Washington për këto ngjarje ishte refuzuar nga ambasada amerikane.

Por, siç duket, prodhuesi i këpucëve do të mund t’i afrohet presidentit të ri të Amerikës dhe Zonjës së Parë më shumë se Presidenti i Republikës Srpska.

Përpara se t’i refuzohej viza, Dodik mburrej se kishte marrë ftesa të shumta për në inaugurimin e presidentit të ri. Më vonë doli që ftesat ishin për ngjarjet shoqëruese që ndodhin në Washington ditën e inaugurimit, jo në vetë ceremoninë e inaugurimit.

Në fund të gushtit, derisa gara për presidentin amerikan po vazhdonte dhe shumica e sondazheve favorizonin demokraten Hillary Clinton, Bema kishte dërguar dy palë këpucë për Melanian të dizajnuara nga dizajnerët më të mirë të fabrikës: një palë këpucë të përshtatshme me shtresa shkume dhe një palë me taka prej lëkure.

Përderisa shumica e europianëve dukej të mbështesnin Clinton në fushatë, shumica e serbëve mbështesnin Trump, për arsyen të thirrjeve të tij për Amerikën që t’i përmirësonte marrëdhëniet me aleatin e vjetër të Serbisë, Rusinë.

Një tjetër faktor me interes për serbët ishte që Melania është sllave. Ajo ishte lindur në qytetin industrial të Sevnicës në Slloveni.

“Këpucët për Melania Trump janë përgjigja jonë ndaj komenteve të fëlliqura të cilave u është ekspozuar ajo si një bashkëshorte dhe si nënë,” tha Umicevic në atë kohë.

Umicevic nuk është i sigurt nëse Zonja e Parë do t’i mbathë këto këpucë ditën e inaugurimit.

Më herët, ai tha për BIRN që ai nuk do të zhgënjehej nëse nuk do të merrte ftesën për në inaugurim.

“Ato këpucë kanë përmbushur qëllimin e tyre sepse Zj. Trump vjen nga kjo zonë. Me të dhe me bashkëshortin e saj në Shtëpinë e Bardhë, të gjithë presim degë ullinjsh nga Amerika,” tha ai.

Në dhjetor të vitit 2016, Bema dërgoi këpucë për të dyshuarit për krime lufte nga Bosna dhe Hercegovina të cilët për momentin janë në njësitin e dënimit në Tribunalin e Hagës.

Nëntë të pandehurit, katër serbë, dhe pesë kroatë, kanë marrë këpucë nga Bema.

Në vitin 2010, Bema kishte dërguar këpucë special nga lëkura e dhisë si dhuratë për Krishtlindje për 33 minatorët kilianë, të cilët ishin shpëtuar pasi kishin kaluar 69 ditë në një minierë të dëmtuar thellë nën tokë.