Problemi i Lahutës, reagon edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës

Pas alarmimeve se instrumenti i Lahutës ka hyrë në UNESCO si trashëgimi vetëm popullit serb, ka reaguar edhe Ministria e Kulturës përmes një njoftimi për medie.

Pavarësisht e nuk e ka përendur këtë çështje, MKRS nuk ka bërë të ditur nëse do të ndërmarrë ndonjë hap se si do të mund të mbrohen asetet e trashëgimisë sonë nga tjetërsimi.

Përmes këtij njoftimi MKRS njofton se vazhdon të mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe se një rendësi të veçantë i kushton edhe promovimit të trashëgimisë kulturore.

Sipas njoftimit, në vazhdën e përpjekjeve për të kompletuar inventarin, studimet, hulumtimet dhe interpretimet në fushën e trashëgimisë kulturore me theks te veçantë të asaj jo materiale dhe promovimit.

“Dosja për Eposin e Kreshnikëve është punuar në përputhje me kriteret ndërkombëtare dhe bazuar në dispozitat e Konventës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jo materiale kurse është hartuar nga grupi i specialisteve me eminent të Kosovës dhe Shqipërisë , Prof. Dr. Zymer Neziri, Prof. Dr. Shaban Sinani dhe akademik Vaso Tole”, thuhet në njoftim.

Njoftimi përmend edhe realizimin e filmit dokumentar për të kompletuar Dosjen e Kreshnikëve, përmes së cilit në fokus është instrumenti muzikor Lahuta, që përfaqëson akretipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian dhe që shoqëron këngët e kënduara.

Ndërsa thuhet se qëllimi i përfshirjes se Eposit te Kreshnikeve në Listën e Përfaqësimit të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të UNESCO-s ka qenë dhe do të mbetet si i tillë, si një nga shtyllat kryesore të trashëgimisë jo materiale dhe një nga pikat më të ndritshme evropiane dhe botërore.

“Për shkak të rrethanave të asaj periudhe, parashtrimi për Eposin e Kreshnikeve në UNESCO nuk ka ndodhur sikundër qe është aspiruar fillimisht anëtarësimi i Kosovës për të ndjekur tutje procedurat e rregullta. Në këtë relacion, MKRS-ja ka dhënë dhe statusin ligjor për Eposin e Kreshnikeve në kuadër te Listës se Trashëgimisë Kulturore nën kategorinë e V-të Trashëgimia Shpirtërore”, thuhet në njoftimin e MKRS për Lahutën.