Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Problemet me punësime dhe punëtorë në Dragash

Auditori ka gjetur parregullsi në angazhimin e stafit me kontrata mbi vepër në Komunën e Dragashit. Në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet se Komuna e Dragashit kishte angazhuar disa punonjës me kontrata mbi vepër të cilët janë paguar nga kategoria mallra dhe shërbime.

Katër nga kontratat ishin lidhur për pozita të zakonshme e jo për ekspertë të fushave përkatëse. Njërit prej të angazhuarve në muajin nëntor nuk iu kishte ndalur tatimi në burim dhe kontribute pensionale, siç përcaktohet me ligj. Po ashtu, janë deklaruar tatimet për pagë një muaj para se të kryhet pagesa e pagës si dhe dy punëtorë janë paguar përnjëherë për gjashtë muaj, ose tre muaj.

Sipas ZKA-së, angazhimi i stafit me marrëveshje për shërbime të veçanta për mbulimin e pozita të zakonshme ndikon në rritjen e shpenzimeve të shërbimeve kontraktuese dhe mund të rezultojë me shërbimet jo reale krahas nevojave të komunës.

Në raport thuhet se mos ndalesa e tatimit në burim për personat e angazhuar përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, rrit rrezikun që komuna të jetë objekt i ndëshkimeve nga autoritetet tatimore.

“Kryetari duhet të siguroj që kontratat e tilla të përdorën vetëm për shërbime të veçanta dhe jo për pozita të zakonshme. Ndërsa mbajtja e tatimeve në burim për personat e angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta, duhet të bëhet në harmoni me legjislacionin e aplikueshëm në fuqi”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Mungesa e dëshmive për punën jashtë orarit

Auditori ka gjetur gjithashtu që Komuna e Dragashit ka mungesë të dëshmive për punë jashtë orarit dhe përvojës së punës të punëtorëve të saj.

Bazuar në Ligjin e Punës pagesa për punë jashtë orarit llogaritet për çdo orë pune, duke i shtuar edhe vlerën shtesë të llogaritur mbi pagën bazë (20%, 30% dhe 50%).

“Nga DKA nuk kemi pranuar listë të orëve shtesë dhe as dëshmi të përvojës së punës. Edhe pse efekti financiar nuk konsiderohet se është i lartë, vet fakti i ekzistimit të mangësive të tilla është tregues i mungesës së efektivitetit të kontrolleve të brendshme”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mungesa e evidencave të punës jashtë orarit nuk justifikon pagesat e bëra, dhe kalkulimi mund të rezultojë edhe me gabime në saktësinë e pagesave. Gjithashtu se mangësitë e tilla rezultojnë me pagesa të parregullta dhe menaxhim jo adekuat të shpenzimit të pagave.

Më tej në raport thuhet se deri sa nuk ka një pasqyrë të dëshmive të besueshme dhe të mjaftueshme të përvojës se punës, të kontrolluar dhe autorizuar nga stafi kompetent, ka rrezik që të bëhen mbi pagesa apo nën pagesa në emër të përvojës se punës.

“Kryetari duhet të sigurojë që kompensimi i punëtorëve për punë jashtë orarit/kujdestarive të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, të mbaj evidenca të rregullta, në mënyrë që pagesa e tyre të jetë e rregullta dhe e dokumentuar. Si dhe duhet të siguroj që zyrtarët e personelit të kompletojnë dëshmitë për përvojën e punës së të punësuarave duke respektuar Vendimin e Qeverisë nr.06/29 të datës 15 maj 2015 që përcakton rregullat dhe procedurat për dëshmimin e përvojës së punës”, potencohet në rekomandimin e Auditorit për Komunën e Dragashit.

Dosjet e mangëta të punëtorëve

Përveç parregullsive të evidentuara për të punësuarit me kontrata për shërbime të veçanta, mungesës së dëshmive për orët e punës jashtë orarit dhe përvojës së punës, Auditori gjithashtu ka gjetur edhe dosje jo të plota të punëtorëve si dhe mungesë e dosjeve elektronike.

Rregullorja për dosjet e nëpunësve civil, parasheh të gjitha dokumentet që duhet t’i përmbaj një dosje e punëtorëve. Gjatë procesit të auditimit është vërejtur se dosjet e punëtorëve nuk janë të kompletuara ashtu siç kërkohet. Për më tepër, me këtë rregullore parashihen edhe dosjet elektronike.

Sipas raportit të auditimit, mos përmbushja e obligimeve ligjore për sa i përket dosjeve të personelit të nëpunësve civil mund të shkaktojë konfuzion dhe trajtim jo të barabartë të stafit.

“Kryetari duhet të siguroj që janë marrë masa se dosjet elektronike janë të kompletuara, ashtu që, në përpikëri ti përmbahet rregullores për dosjet e punëtorëve”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.