Teatri i Gjilanit

Problemet financiare të teatrove kosovare, reagon ATQK

Fillimviti 2019 i ka gjetur teatrot profesioniste të qyteteve të Kosovë në një situatë të rëndë financiare.

Shumë prej aktorëve të këtyre teatrove ka më se tre muaj që nuk marrin rroga.

Kjo situatë ka shtyrë Asociacionin e Teatrove të Qyteteve të Kosovë për të reaguar përmes një deklarate publike.

Përmes këtij reagimi ATQK thotë se gjendja e krijuar sa i përket funksionimit të këtyre teatrove është rezultat i neglizhencës së institucioneve relevante për zgjidhjen e këtij problemi.

Asociacioni kërkon rregullim sa më parë të statusit juridik e financiar të këtyre teatrove.

Meqë, siç thuhet në reagim, problemet e teatrove kanë mbetur të njëjta, për të mos thënë se janë vështirësuar edhe më shumë.

“Ne si ATQK kemi iniciuar ndryshimin e ligjit aktual për teatrot, i cili ligj nuk është aspak i favorshëm për funksionalizimin e teatrove të qyteteve dhe përkitazi me këtë gjendje, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Koncept Dokumentin për Teatrot, dokument ky që i hapi rrugën plotësim-ndryshimit te ligjit për teatrot, ligj ky që do ta bëjë rregullimin juridik dhe financiar të teatrove të qyteteve”, thuhet në reagimin e AQTK.

Për të zbutur situatën e krijuar ATQK kërkon nga komunat përkatëse që të bëjnë kërkesë në komisionin e granteve në Ministrinë e Financave, që të planifikohet dhe ndahet buxheti për futjen në kontrata të rregullta të aktorëve të trupave rezidente dhe punëtorëve tjerë të teatrove, si dhe të ndahet buxheti për prodhimin e shfaqjeve, si dhe sa më parë të krijohet baza ligjore për të nxjerrë teatrot nga kolapsi.

“Në të kundërtën teatrot e qyteteve rrezikohen të mbyllen, përkatësisht të mos mund t’i realizojnë aktivitetet e tyre, gjë që rrjedhimisht do të sjellë veprime radikale nga komuniteti i artistëve të teatrit”, thuhet në reagimin e ATQK.