Probleme me 4000 Qentë Endacakë të Pejës

Në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi të Pejës u diskutua për pasigurinë e shkaktuar nga qentë endacakë.

Kryetari i këtij këshilli dhe Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri tha se rrugëve të kësaj komune bredhin mbi 4 mijë qen endacakë, ndërsa sipas tij duhen disa vjet për t’u zgjidhur problemi i tyre.

Shqetësime për prezencën e madhe të qenve endacakë shprehu edhe komandanti i Stacionit Policor në Pejë Ndue Nikolla.

“Këtu kemi qen që janë me epidemi të ndryshme, janë qen jashtëzakonisht të rrezikshëm edhe mund të përhapin sëmundje të qytetarët të cilët mund t’i kafshojnë,” tha Nikolla.

Kryetari Gazmend Muhaxheri njoftoi këshillin për siguri se ka pesë muaj që strehimorja e qenve në Fshatin Sferkë e Thatë është jofunksionale.

“Veterinari që ka kryer ketë punë dhe është paguar nga zonja Helen nga Zvicra, ka marrë punë tjera shtesë edhe nuk ka pranuar që kastrimet që bëhen ne Komunën e Pejës që janë në numër me të pakët, me ju besuar veterinarëve të qendrës qe e kemi na aty për veterinë,” tha Muhaxheri.

Muhaxheri tregoi se kjo strehimore ishte dëmtuar disa herë nga banorët e fshatrave përreth saj, nga revolta e tyre ndaj numrit të madh të qenve endacakë.

“Ne jemi munduar të ju shpjegojmë atyre qytetarëve që të gjithë qenve që ju kryhet procedura e kapjes, vaksinimit, sterilizimit i kthejmë ne lagjet prej nga i kemi marrë,”tha Muhaxheri.

KALLXO.com shkroi më herët për gjendjen e rëndë të qenve të strehimores në Sferkë të Thatë.

Qentë në Strehimore të Pejës në Mëshirën e Vullnetarëve