Prizreni pastrohet nga posterët e zgjedhjeve të kaluara

Në Komunën e Prizrenit ka filluar pastrimi i posterëve që kanë mbetur nga koha e zgjedhjeve lokale.

Drejtoria e Inspektorateve ka nisur aksionin për heqjen e reklamave të ekspozuara nëpër hapësirat publike, që kanë mbetur nga fushata e zgjedhjeve lokale.

Komuna e Prizrenit njoftoi se partitë politike paraprakisht kanë qenë të njoftuara dhe u është dhënë afat kohor për të marrë vetë iniciativë për heqjen e tyre, dhe pas mosrespektimit të këtij urdhëri nga disa parti, heqjen e reklamave e ka kryer vetë Drejtoria e Inspektorateve.

“Për vendosjen e reklamave në ndërtesa duhet të merret pëlqimi nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe nga vetë banorët e asaj ndërtese, ndërsa në mungesë të këtyre pëlqimeve, vendosja e reklamave vlerësohet si uzurpim i hapësirës publike”, thuhet në njoftim.