Prizreni organizon ditën pa makina

Qyteti i Prizrenit organizon për herë të dytë ditën pa makina, e cila organizohet në përpjekje të evitimit të njërit prej ndotësve kryesorë të ajrit.

Kjo ditë do të organizohet me datën 21 shtator dhe për tri orë në dy lagje të Prizrenit nuk do të ketë qarkullim të makinave.

“Sivjet, për herë të dytë me radhë, organizohet “Dita pa makina” në qytetin e Prizrenit. “Dita pa makina” është një ngjarje e lirë ndërkombëtare, e cila organizohet me qëllim të shfrytëzimit të sa më pak makinave, si një prej ndotësve kryesorë të ajrit dhe nxitjes për përdorim të transportit urban dhe biçikletave”, thuhet në njoftimin e komunës.

Kjo ditë është paraparë që në Prizren të mbahet të premten, më 21 shtator, me ç’rast një pjesë e aksit rrugor “Remzi Ademaj” dhe “Adem Jashari” do të jetë e bllokuar për automjete për tri orë (10:00-13:00) dhe pikërisht në këtë segment rrugor do të ketë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore. Gjatë kësaj kohe makinat duhet të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative (rr. “Faik Emrush” dhe “Fehmi Lladrovci”).

“Dita pa makina” organizohet për çdo vit në rreth 2000 qytete dhe 40 vende të ndryshme të botës” thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.