Prizrenasit nënshkruajnë deklaratë kundër hidrocentraleve në Lumbardh

Qëllimi i përbashkët për ruajtjen e natyrës në fshatrat e Prizrenit mblodhi qytetarë, deputetë e zyrtarë të këtij rajoni edhe nga subjekte të ndryshme politike.

Të pranishmit në konferencën e organizuar në Rajonin e Zhupës kritikuan Ministrinë e Mjedisit për mungesë të informacioneve për ndërtimin e hidrocentraleve ndërsa u zotuan se nuk do të lejojnë ndërtimin e tyre.

Rajoni i Zhupës njihet si një destinacion turistik, i cili është i njohur si një mjedis i pasur me larmi të florës dhe faunës. Përmes këtij rajoni kalojnë tre lumenj të vegjël që e formojnë Lumbardhin e Prizrenit, i cili është po ashtu i pasur me vlera natyrore dhe ekologjike.

Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Prizreni, dje kishte thirrur konferencë ku i kishte bashkuar banorët e anës së Zhupës, e në këtë takim ishin të pranishëm edhe personat të organeve më të larta komunale dhe shtetërore që vijnë nga Prizreni.

Deputetë të rajonit të Prizrenit nga subjektet të ndryshme, Zafir Berisha nga Nisma, Arbër Rexha, Drita Millaku e Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilija Redzpei nga NDS ishin deputetët e pranishëm në këtë mbledhi.

Konferenca lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve

Në këtë konferencë nuk ishte i pranishëm askush nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkundër që Haskuka tha se të njëjtit i kishte ftuar dhe se edhe ata kishin shprehur gatishmëri për të ardhur por në momente të fundit askush nuk u paraqit në emër të kësaj Ministrie.

Sipas Haskukës në këtë rajon malor, përkatësisht në degët e Lumbardhit po planifikohet ndërtimi i hidrocentraleve.

Haskuka tha se sasia e rrymës që mund të prodhojnë këto hidrocentrale, të cilat planifikohen të ndërtohen në Rajonin e Zhupës, është shumëfish më e vogël se dëmi që mund t’i shkaktojnë ekosistemit të rajonit dhe pjesës urbane të qytetit. Pos saj, sipas tij ndërtimi i hidrocentraleve do të shkatërronte edhe mundësinë e zhvillimit të bujqësisë dhe të turizmit malor.

“Në bazë të informatave që kemi si i komunë po planifikohet ndërtimi i rreth 13 mini hidrocentraleve”, tha ai.

Sipas tij lidhur me këto Hidrocentrale qe 1 vit e gjysmë kanë kërkuar informata për planet e sakta të investimeve që po planifikohen në rajonin e Zhupës, por që nga ministria nuk kanë marrë përgjigje më të detajuara dhe me informata konkrete.

Haskuka tha se ndihej i frustruar dhe i diskriminuar si kryetar i Komunës pasi që nuk po kanë informacione se çka po planifikohet të ndërtohet në këtë Rajon.

” Kam shumë informata të ndryshme që janë kontradiktore lidhur me këto hidrocentrale, nuk po dihet as kapaciteti i tyre, as vendndodhja por vetëm dimë që do të shfrytëzojnë Lumbardhin dhe disa degë të Lumabrdhit ”, tha ai.

Lumbardhi i Prizrenit

Memnuna Ajdini, nënkryetare e Komunës së Prizrenit për komunitete e cila njëherit edhe ka prejardhje nga Rajoni i Zhupës, gjithashtu tha se në komunikime të shpeshta që ka pasur me qytetarët që të gjithë banorët e të gjitha fshatrave në këtë rajon janë kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve.

” Janë nënshkruar edhe peticione nga banorët e Zhupës që i kanë thënë jo ndërtimit të hidrocentraleve, madej nuk ka as studime adekuate për këto hidrocentrale, nuk janë bërë as dëgjime publike me banorët e kësaj ane për planet e ndërtimit ” shtoi nënkryetarja Ajdini.

I zëshëm dhe shumë kundërshtues ishte edhe Ministri Rasim Demiri, Ministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, i cili tha që kjo është një luftë e madhe që po vazhdon tash e shumë kohë, ndërsa ka mbledhur në peticion mbi 2 mijë nënshkrime për kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentraleve.

Deputetët Emilja Redzepi, Zafir Berisha, Arbër Rexhaj, Drita Millaku, Salih Zyba, që të gjithë thanë se janë në përkrahje të banorëve të këtij rajoni, dhe se do ngrisin zërin e tyre edhe në instanca qendrore qeveritare për të anuluar dhe për të ndaluar ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, gjithashtu të njëjtit thanë se do të përkrahin kryetarin Haskuka në të gjitha veprimet që janëë në të mirë të banorëve të Zhupës.

Banorët e Zhupës kërkuan nga të gjithë përfaqësuesit politik që kjo çështje të mos politizohet ndërmjet subjekte politike por të punohet sa më shumë që të dëgjohet zëri i tyre në instancat më të larta qeveritare.

Në përfundim Mytaher Haskuka që kishte thirrur këtë konferencë tha se janë dy forma  që ai parasheh për të ndaluar ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, e para sipas Haskukës është mobilizimi sikurse konferenca e sotme pa dallime partiake, dhe pa dallime të komuniteteve për të kundërshtuar fuqishëm ndërtimin e hidrocentraleve, dhe e dyta sipas Haskukës janë rrugët ligjore, me ndihmën e këshilltarëve ligjor që kanë punuar në të kaluarën në shtetet europiane për parandalimin e këtyre hidrocentraleve, sepse sipas Haskukës këto leje që janë dhënë kanë kalaur nëpër shkeje procedurale dhe ligjore.

‘ Deri sa të jem Kryetar i Komunës nuk do të lejoj ndërtimin e Hidrocentraleve, andaj për ta bllokuar 100 për qind  këto hidrocentrale duhet të punojmë të gjithë bashkë ”, tha Haskuka.

Në përfundim nga të pranishmit u nënshkrua Deklarata e përbashkët me të cilën kërkohet nga organet kompetente që të anulohet ndërtimi i Hidrocentraleve të planifikuara në rajonin e Zhupës, të lugina e Lumbardhit në Prizren.

Në këtë deklaratë thuhet se Hidrocentralet ashtu siç janë planifikuar nuk përfshihen në planet zhvillimore të Kosovës, as në strategjitë dhe planet zhvillimore dhe urbanistike të Komunës së Prizrenit, e për më tepër sipas deklaratës këto hidrocentrale rrezikojnë zhvillimin e turizmit dhe të bujqësisë.

Të nënshkruarit e kësaj deklarate u zotuan që do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për parandalimin e ndërtimit të hidorcentraleve në Lumbardh dhe degët e tij.

Rajoni i Zhupës në aspektin gjeografik është në zonën në mes Prizrenit dhe Brezovicës. Sipas të dhënave kadastrale, Zhupa përfshin sipërfaqen prej rreth 17.280 hekterë.

Zhupa,  përbëhet nga grupe vendbanimesh: Gornjasella, Mushnikova, Sredska, Drajçiq, Pllanjani, Reçani, Zhivinjani, Lubinja e Epërme, Lubinja e Poshtme, Nebregoshti, Manastirica, Llokvica, Struzha, Bogoshevca, Pouska dhe Jabllanica.

Në gjashtë vitet e kaluara në rajonin e Zhupës kultivohet mjedra e Sharrit, e ka sipërfaqe të mbjellur edhe ma aroni dhe boronica. Përgjatë pjesës së madhe të rajonit të Zhupës shtrihet parku nacional “Sharr”,

Popullata në aspektin nacional është e përzier. Më në numër janë boshnjakët, rreth 90 për qind, pastaj shqiptarët, serbët dhe të tjerët.Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovës nga viti 2011, Zhupa ka mbi 12 mijë banorë.

 

18 Qershor 2019 - 13:07

Marcel Lekaj 18/06/2019 - 13:07
NDËRVEPRIMI0

KRYESORE

Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend