Prizren: Të rinjtë e PDK-së kërkojnë dorëheqjen e Mytaher Haskukës

Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një aktivitet simbolit ku janë shpalosur disa nga dështimet që ata pretendojnë se janë bërë në komunën e Prizrenit nga partitë në pushtet dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Mytaher Haskuka.

Në aktivitetin e Rinisë Demokratike, lidhur me gjendjen në Prizren, ishte i pranishëm kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ndërsa për lëshimet e rënda në këtë komunë foli Adri Krasniqi, Kryetar i Degës së Rinisë Demokratike në Prizren.

Në këtë aktivitet,  Bislimi ka theksuar se “qyteti emblematik Prizreni, ka dy vite që është katandisur nga aferat, korrupsioni dhe premtimet e pa mbajtura”, duke u zotuar se ashtu si lideri Kadri Veseli, edhe Rinia Demokratike dhe të gjithë qytetarët, qëndrojnë fuqishëm kundër krimit të organizuar”.

Ai po ashtu ka shtuar se rinia nuk do të ndalet ta denoncojë patriotizmin e rrejshëm të shfaqur në Kuvend, angazhimin për drejtësi si dhe përkrahjen e themelimit të Gjyqit ndërkombëtar kundër gjenocidit serb në Kosovë.

Ndërsa kryetari i Rinisë Demokratike në Prizren, Adri Krasniqi ka folur për tenderin për pastrimin e qytetit, të cilin e ka quajtur skandal.

“Skandali i parë i evidentuar sot, ishte shpallja fituese e tenderit për pastrimin e qytetit për një kompani nga Podujeva, ku në aplikimin e saj për këtë tender, kompania ka aplikuar me librezat e makinave në gjuhen serbe që bie në kundërshtim me sloganin e bashkimit. Me të drejtë shtrohet pyetja, me cilin shtet rekomandon Vetëvendosja bashkim”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, Krasniqi ka shtuar se “Punësimet e militantëve dhe familjarëve të partisë në pushtetin lokal, premtim që ishte proklamuar se do ta luftojnë nepotizmin, ndërsa sot, dukuri themelore është nepotizmi në komunën e Prizrenit. Dështim tjetër i rëndë është largimi i një profesionisti në arsim dhe zëvendësimi i tij me një refer futbolli. Premtimi i bërë për shujta për nxënës nëpër shkolla, është i pa realizuar”.

Rinia Demokratike e Kosovës ka folur edhe për dështimet që sipas tyre janë evidentuar në kulturë dhe në sport si mos mbajta e festivaleve tradicionale si “Zambaku i Prizrenit” dhe “Fluturat”, rënia e KF “Liria” nga liga, dhe kriza në KB “Bashkimi”.

Pas këtyre dështimeve, Krasniqi ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit aktual Mytaher Haskukës, për paaftësi në qeverisje.