FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Priten negociata me konsorciumin që do të ndërtojë TC 'Kosova e Re'

Vazhdojnë të mbahen sekrete detajet kryesore që kanë ndikuar që konzorciumi i udhëhequr nga “General Electric” të zgjidhet ofertues i preferuar.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka thënë KALLXO.com se aktualisht janë në fazën e negociatave me ofertuesi e preferuar. Këto negociata do të vazhdojnë në disa runde, ndërsa pritet të negociohen shumë komponentë të projektit.

“Në këtë fazë vlerësojmë se do të duhen disa raunde të negociatave me qëllim të adresimit të të gjitha çështjeve kjo marrë në konsideratë që oferta ka një numër të madhe të komponentëve teknike dhe financiare për të cilat do të zhvillohen negociata dhe do të merren sqarime deri në detaje”, vazhdon përgjigja e MZhE-së.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga MZhE-ja për detajet e ofertave të konzorciumeve tjera që kanë qenë në garë në tenderin për ndërtimin e termocentralit, por MZhE-ja thotë se ato ende nuk mund të publikohen.

Tutje, MZhE-ja premton se Qeveria e Kosovës do të bëjë publike të gjitha të dhënat pa përjashtim mbi ofertat e pranuara nga ofertuesit dhe po ashtu, në momentin e përzgjedhjes së kompanisë fituese të tenderit do të behën të ditura të gjitha detajet e kontratës.

“Qeveria e Kosovës dhe MZhE janë të vendosura që për projektin “Kosova e Re” të gjitha të dhënat të bëhen të qasshme për publikun. Qeveri e Kosovës është e bindur që implementimi i suksesshëm i këtij projekti përveçse do i sigurojë qytetarëve të Kosovës furnizim të sigurt me energji elektrike po ashtu, ka potencialin për të ndryshuar të ardhmen ekonomike të vendit në përgjithësi”, potencohet në përgjigjen e MZhE-së.

Më 4 shtator 2018, Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal (CG) kanë paraqitur rezultatet e procesit të përzgjedhjes fillestare për të realizuar kontratën e Inxhinierimit, Prokurimit dhe Ndërtimit (EPC) si dhe Mirëmbajtjen Afatgjate (LTM) për TC ‘Kosova e Re’.

Si pjesë e procesit të përzgjedhjes fillestare, të filluar në qershor, janë pranuar gjashtë aplikacione dhe janë vlerësuar nga ‘Contour Global’, katër prej të cilave janë para-kualifikuar bazuar në kritere  teknike dhe financiare përfshirë edhe letrat e qëllimit nga institucionet financiare. Kompanitë/konsorciumet e kualifikuara ishin, CMEC, një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Poëer Systems dhe Técnicas Reunidas; një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe Hyundai.

Përfundimisht dy kompani kanë ofertuar, konsorciumi i kompanive ‘General Electric’ (GE) dhe konsorciumi MHPS.

Profili ofertuesit të preferuar ‘General Electric’

General Electric’ është themeluar në vitin 1892 nga Thomas Edison, Charles A. Coffin, Elihu Thomson, Edwin J. Houston dhe J. P. Morgan. Tashmë ‘General Electric’ është një konglomerat multinacional i cili ka selinë në Boston.

126 vjet që nga themelimi ‘General Electric’ operon në disa sektorë të ndryshëm, në aviacion, shëndetësi, energji, energji të rinovueshme, prodhim digjital, prodhim shtesë, financa, ndriçim, transport, naftë dhe gaz.

Në vitin 2018 revista ‘Forbes’ e ka radhitur konglomeratin ‘General Electric’ të 388-in në mesin e 2 mijë kompanive më të mëdha në botë, me vlerën e tregut prej 126.8 miliardë dollarë.

Në kuadër të konglomeratit ‘General Electric’ operon kompania ‘GE Power’ e cila është biznesi më i madh i energjisë në GE me rreth 38,000 punonjës që u shërbejnë klientëve në më shumë se 125 vende.

“Ne punojmë në të gjithë industrinë e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, në karburantet alternative të qymyrit, gazit natyror dhe energjisë bërthamore”, thuhet në faqen e ‘GE Power’.

‘Countur Global’ është duke pritur që Korporata për Investime Private të Jashtme (OPIC) do të marrë vendimin nëse do ta financojë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte deklaruar për Kallxo.com në muajin nëntor të vitit 2018 se OPIC- amerikan kishte aprovuar një studim përmes të cilit shikohen mundësitë e financimit të TC ‘Kosova e Re’ në një vlerë deri në 450 milionë dollarë.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliard euro mes qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’ është bërë me 20 dhjetor 2017.

Është parashikuar që në vitin 2019 do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.

Qeveria e Kosovës thotë se do të vazhdojnë me nderimin e këtij termocentralit përkundër tërheqjes së Bankës Botërore nga ky projekt.

Banka Botërore ishte tërhequr nga projekti i Kosovës së re me arsyetimin se ky projekt nuk është opsioni më i lirë për sigurimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.