Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prishtinë, paraburgim të dyshuarit për krime lufte në Ferizaj

Gjykata e Prishtinës duke vendosur përkitazi me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me caktimin e masës së paraburgimi ndaj të dyshuarit Z.K me pretendimin se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës, i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për krime lufte gjatë vitit 1999 në Ferizaj.

Prokuroria pretendon se i dyshuari Z.K në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të policisë dhe ushtrisë serbe në  periudhën e luftës në Kosovë, saktësisht me datë 26 mars 1999, kanë privuar nda jeta katër persona dhe më pas kanë bërë djegien dhe dëbimin nga shtëpia të familjes prej 19 anëtarësh nga fshati Nerodime e Epërme e Ferizajitl

“Rreth orës 20:00 derisa ishte i veshur me uniforme të policisë serbe, i armatosur (me armatim dhe pajisje policore) me vetëdije dhe qëllim duke vepruar në grup sipas planit dhe urdhrave të eprorëve tjerë, kishin kryer vepra penale të privimit nga jeta të O.N, B.N, B.N dhe A.N, plagosjes, torturës, shkatërrimit e plaçkitjes, torturimit e maltretimit të skajshëm psikik e fizik, djegies së pronës dhe dëbimit ndaj familjes N., 19-anëtarëshe nga fshati Nerodime e Epërme në Ferizaj”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Prishtinës.

Arsyen mbi caktimin e masës së paraburgimit Gjykata e Prishtinës e bazoi në faktin se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti pas kryerjes së veprës penale për një kohë ka qenë në arrati dhe që nga pas lufta viti 1999 nuk ka jetuar në Kosovë dhe i është shmangur organeve të ndjekjes, dhe hetuesisë.