Prishtinë, banorët e 'Rrugës B' ankohen për mungesë të ngrohjes qendrore

Në një nga lagjet e Prishtinës, banorët po presin kyqje në ngrohtoren e qytetit Termokos derisa komuna dhe kjo ngrohtore arsyetojnë vonesat në mënyra të ndryshme.

Banorët e Rrugës B në Prishtinë ende nuk janë të pajisur me ngrohje qendrore, edhe pse Komuna e Prishtinës u kishte premtuar që një gjë e tillë do të finalizohej këtë vit.

Liridon Përçuku, banor në Rugën B të kryeqytetit, tha për KALLXO.com se u është premtuar kyçja me ngrohje qendrore këtë vit, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Nxemje qendrore këtu nuk ka pasur asnjëherë, prej Termokosit realisht. Unë qe 4 vjet jam këtu si banor, vetëm me rrymë ngrohemi siç është e vendosur në banesa. Normalisht që me rrymë është pak tepër. Po thonë që Termokosi e ka vendosur një gyp kryesor poshtë, por lidhja nuk është bërë asnjëherë”, tha ai.

Sipas tij, në këtë lagje kanë telashe edhe me ndotje të ajrit, pasi shumë ndërtesa banimi ngrohen me thëngjill.

Të njëjtat probleme me ngrohje gjatë dimrit  i thekson edhe Drita Shala, banore në këtë lagje.

Ajo tha për KALLXO.com se kanë dëshirë që të kyçen me ngrohje qendrore, që të mos kenë telashe me të ftohtin.

“Prej Termokosit nuk kemi, kemi nxemje qendrore të ndërtesës. Ngroh sipas mundësisë se qysh ka pronari para me ble dru ose qymyr dhe varësisht prej kohës. Na kanë premtuar sivjet që kanë me na lidh me Termokos, por premtimet ishin boshe. Po më vjen keq se duhet me thënë, komuna asgjë s’ka ndërmarrë”, tha banorja.

Ajo shton se nganjëherë u vështirësohet edhe frymëmarrja, kur banorët e përdorin thëngjillin për t’u ngrohur.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli në emisionin  “Jeta në Kosovë” këtë të enjte, kishte thënë se e kanë bërë rrjetëzimin e gypit për shpërndarje të ngrohjes në këtë lagje.

“Vetëm në vitin 2018 është bërë shtrirja e gypit magjistral 4 kilometra. E kemi rrugën B kryesisht aty është bërë trasa. Detyrë e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me “Termokos”-in është ofrimi i trases së kyçjeve. Kyçjet i bëjnë kryesisht operatorët privat të cilën i shfrytëzojnë edhe banesat. Kryesisht jemi të fokusuar në banimet kolektive”, tha Pacolli.

Por, sipas ndërrmarrjes publike që furnizon me ngrohje kryeqytetasit “Termokos”-it, rrjeti i ngrohjes për një pjesë të ndërtimeve kolektive në rrugën B, ende nuk ka nisur.

Zëdhënësja e “Termokos”, Afërdita Uka-Fejzullahu tha për KALLXO.com se punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në rrugën B pritet të fillojë në pranverë të vitit 2019.

“Ashtu siç kemi informuar në vazhdimësi kyçja e një pjese të ndërtimeve kolektive në Rrugën B është në plan të bëhet në kuadër të projektit, që kemi me Komisionin Europian për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. Punimet për realizimin e këtij projekti planifikohet të fillojnë në pranverë të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen përmes postës elektronike.

Sipas Fejzullahut, me një donacion në vlerë të 8.3 milionë euro që e ka ndarë Komisioni Europian për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, planifikohet kyçja e disa ndërtesave kolektive edhe në lagjen “Kalabria” si dhe disa ndërtesa të vjetra në lagjen “Qendra” dhe “Ulpiana”.