FOTO: Ilustrim

Prishtinë - Arrestohet i dyshuari për fajde

Një person me inicialet A.E., është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën dyshimin për përfshirje në fajde.

Të njëjtit, pas intervistimit me vendim mbi ndalimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i është caktuar ndalimi prej 48 orëve.

“Pas raportimit të rastit me datën 27 tetor 2018, në stacionin policor, rasti është vazhduar të hetohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, me ç’rast është kuptuar se i dyshuari ia ka dhënë rreth 20 mijë euro viktimës në cilësi të fajdesë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit viktima të dyshuarit është detyruar t’ia kthejë rreth 40 mijë euro, duke përfshirë edhe një veturë dhe një shtëpi, për të cilën viktimës ia ka llogaritur një pjesë të borxhit në emër të fajdesë.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë hasur në dokumentacion që ndërlidhet me rastin.

Dokumentacioni është sekuestruar përkohësisht, duke përfshirë edhe një laptop dhe telefoni personal i të dyshuarit, të cilat do të dërgohen për ekzaminim në forenzikë.