Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prishtinë, 17 vjet burg të akuzuarit për shtytje në vrasje

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 17 vjet burgim personin A.A, pasi e gjeti fajtor për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë.

Sipas komunikatës për media nga Gjykata e Prishtinës, i akuzuari A.A sipas aktakuzës së Prokurorisë ka qenë i akuzuar për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër A.V i cili gjendet në arrati.

Por pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor gjatë vërtetimit të fakteve gjykata është bindur se i akuzuari A.V të gjitha veprimet i ka kryer si pasojë e shtytjes nga ana e të akuzuarit A.A.

“Gjykata ka vërtetuar se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit A.A., në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike kemi të bëjmë me veprën penale Shtytje në vrasje të rëndë e jo me veprën penale Vrasje të rëndë të kryer në bashkëkryerje me të pandehurin A.V. i cili gjendet në arrati. Gjykata është e bindur se ka vërtetuar se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e të pandehurit A.V dhe pasojat e shkaktuara janë si rezultat i shtytjes nga ana e të akuzuarit A.A, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Prishtinës.

Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues i konfiskimit të armës si mjet i kryerjes së veprës penale.