Prishtinasit e painteresuar të debatojnë me deputetë

Qytetarët e Prishtinës sot patën mundësinë që t’iu bëjnë pyetje deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga tw gjitha partitë politike.

Përkundër kësaj, numër i vogël kishin ardhur për të shfrytëzuar këtë mundësi. Mos interesimi i kryeqytetasve bëri dallimet edhe mes vet pozitës dhe opozitës.

Këta të fundit thanë se duhet interesim më i madh i qytetarëve dhe vlerësim i punës së tyre, kurse nga ana e mazhorancës u shprehen se kjo ka ndodhur për shkak të punës së mirë të pushtetit.

Edhe pse në numër të vogël, disa prej qytetarëve që ishin të pranishëm, adresuan kritika ndaj mënyrës së qeverisjes dhe vet këtij formati, duke e cilësuar si fushatë elektorale.

Nevojën e debatit mes qytetarëve dhe deputetëve e theksoi deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se një kulturë e tillë e debatit po mungon.

Kritike ndaj mos interesimit të qytetarëve u shpreh edhe deputetja nga radhët e VV-së Fitore Pacolli, e  cila tha se puna e qytetarëve është që t’i mbajnë në kontroll deputetët dhe t’i vlerësojnë çdo ditë.

Sipas saj, ka disa deputetë që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe ata nuk po kërkojnë llogari.

Për të arsyetuar prezencën e vogël të qytetarëve, deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se qytetarët janë të kënaqur me punën e Qeverisë Haradinaj.

Për numrin e vogël të pranishmëve u shpreh edhe Bedri Mehmeti i cili pati kritika edhe për vet deputetët duke e cilësuar këtë debat sikur fushatë elektorale të tyre.

17 vjeçari Art Mërkoja, me tone të ashpra adresoi kritika ndaj institucioneve publike dhe deputetëve duke konsideruar se numri i madh i Ministrive, keqpërdorimet që po ndodhin sipas tij, po i bëjnë dëm shumë Kosovës.

Pjesë e këtij diskutimi ishin edhe Dardan Sejdiu i PSD-së dhe Blerta Deliu-Kodra e PDK-së të cilët potencuan se duhet bashkëpunim më i madh ndërmjet qytetarëve dhe tyre.