Shkolla e re në lagjen 'Arbëria' në Prishtinë, Foto: Shpend Ahmeti/Facebook

Prishtina nga shtatori do të ketë edhe një shkollë të re

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se kryeqyteti do të bëhet me një shkollë moderne nga shtatori i vitit 2018.

Ahmeti ka thënë se Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, ka konstatuar se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele.

Prandaj, një numër i konsiderueshëm i këtyre nxënësve nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”.

“Por, i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e tri shkollave të potencuara dhe organet e brendshme të shkollës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka njoftuar se objekti i ri shkollor ka gjithsej 13 dhoma mësimi dhe katër dhoma për kabinete, ndër to, 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 11 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve.

I pari i Prishtinës ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të bëjnë një vizitë publike në shkollën e re.