Prishtina Nënshkruan Marrëveshjen për Autobusë

51 autobusë do t’i shtohen trafikut urban të Prishtinës brenda 120 ditëve të ardhshme.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë ‘IVECO’, për blerje të autobusëve me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Blerja e këtyre autobusëve ishte diskutuar që nga viti i kaluar për shkak të mosmarrëveshjes së Komunës së Prishtinës me Ministrinë e Financave për garancionin për kthimin e kredisë.

http://kallxo.com/autobuset-e-politizuar-te-prishtines-serish-ndeshin-ahmetin-e-hotin/

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje , Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti vlerësoi se këta autobusë do e lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve me linja të veçanta.

 

“Një prej kushteve të kredisë së BERZH-it është që në rrugët kryesore të Prishtinës ta kemi të ndarë trasenë e veçantë për autobusë që do të thotë me autobusë mund të mbërrish më lehtë nga pika A në pikën B”, tha Ahmeti.

Ndërkaq Kryeshefi Ekzekutiv i Trafikut Urban në Prishtinë, Halil Mustafa, theksoi se vonesat për blerjen e këtyre autobusëve janë bërë për shkak të vonesave për miratim në Kuvend.

 

“Ne kemi punuar faktikisht qe një vit në këtë projekt, ne kemi pasur edhe ngërçe dhe fërkime por megjithatë por të gjitha kanë qenë të varura prej një vendimi apo aprovimi prej Kuvendit të Kosovës”

Me kredinë me vlerë 10 milionë euro, kompania “IVECO”, dega e Çekisë, ka fituar tenderin për sjelljen e autobusëve që sipas Kryetarit Ahmeti do të jenë të përshtatshëm edhe për persona me aftësi të kufizuara.

Me kontratën e nënshkruar  parashihet që  brenda 90 ditëve të vijnë 30 autobusët e parë dhe të tjerët brenda 120 ditëve prej nënshkrimit të kontratës.

Sipas Ahmetit me ardhjen e autobusëve planifikohet edhe zgjerimi i punëtorëve dhe rritjen e rrogave në rroga mesatare për shoferë dhe punëtorë të tjerë të trafikut urban.