Prezantohet platforma për luftimin e korrupsionit

Free/Libre Open Source Software Kosovo ( FLOSSK) në bashkëpunim me Qendrën Kosovare Kundër Korrupsionit (KUND 16),  kanë prezantuar platformën ‘Anti-Corr’. Kjo platformë apo software i merr të dhënat nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP),  duke i përpunuar të dhënat në baza ditore, javore, mujore e vjetore. Nëpërmjet këtij software qytetarët, shoqëria civile apo gazetarët  kanë mundësinë e identifikimit të keqpërdorimeve në sistemin e prokurimit apo të aferave korruptive që bëhen me shpenzimet e parasë publike.

Arianit Dobroshi nga FLOSSK, tha se shpenzimet publike është fusha ku më së shumti shtrihet korrupsioni dhe se në Kosovë deri më tani nuk ka pasur involvim kaq të thellë të teknologjisë në sistemin e prokurimit.

‘’Shpenzimi publik është fusha ku më së shumti shtrihet korrupsioni, flasim për qindra miliona për çdo vjet . Në Kosovë të paktën deri tash nuk kemi pasur involvim të teknologjisë aq thellë në adresimin e këtij problemi që ka nis mu zhvillu kohëve të fundit. Roli i qeverisë në këtë aspekt është kyq, në ofrimin e të dhënave në dispozicion, duke fillu edhe prej të dhënave të prokurimit publik. Ne mendojmë që ta kemi përkrahjen e plotë të institucioneve përkatëse dhe platforma kishte me qenë më e mirë se që është në këtë moment. Ne i kemi idetë qysh mi zhvillu ma tutje, sidoqoftë rezultatet gjithmonë janë edhe sipas partnerëve dhe gatishmërinë e institucioneve publike të ofrojë qasjen e nevojshme’’, tha Dobroshi’.

Ndërsa Fidan Kalaja  nga  KUND 16, në këtë sesion informues ka prezantuar një rast konkret, ku pas një hulumtimi të kryer nga këto organizata me anë të platformës ‘Anti-Corr’, kanë hasur në një tender të dyshimtë në Komunën e Gjakovës.

Ky projekt është financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.